Aplikacion
Murtaza Ahmadi, tani 10 vjeç, u bë personazh “viral” në gjithë globin, brenda natës më 2016, kur një fotografi e tij, veshur me fanellë të bërë nga qesja plastike me vija blu dhe të bardhë, me “Messi 10” të shkruar në anën e pasme, pushtoi mediat dhe rrjetet sociale.
Që atëherë, djali dhe familja e tij janë zhvendosur disa herë për shkak të pasigurisë në vend dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga talebanët, për shkak të rritjes së tij në famë si tifoz i Messit. Ata u zhvendosën përsëri dy muaj më parë nga fshati i tyre i lindjes në Jaghori, nga provinca jugore e Ghazni, në Kabul, ku kanë jetuar të fshehur gjatë javëve të fundit.
“Unë jam i mbyllur në shtëpi dhe nuk mund të dal jashtë, pasi kam shumë frikë nga talibanët, – i tha djali EFE, duke shtuar se shpesh zgjohet gjatë natës, duke bërtitur nga frika. Shoh në ëndërr sikur talebanët vijnë dhe trokasin në derën tonë dhe do të më bërtasin”, – shtoi ai, ndërsa godiste një top në dhomën e vogël me qira që ndan me familjen, në pamundësi për të luajtur jashtë për shkak të kërcënimeve.
“Dua të udhëtoj nga Afganistani në një vend të sigurt. Ju lutem më shpëtoni nga kjo situatë”, – nënvizon ai, duke iu bërë thirrje futbollistëve në të gjithë botën, përfshirë Messin, për ndihmë, që të largohet nga vendi i marrë nën kontroll nga talebanët dhe “të luaj futboll në paqe”.
Për më tepër, Murtuza i përket komunitetit të persekutuar Hazara, i cili shpesh është vënë në shënjestër nga Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (IS-K), filiali rajonal i grupit të Shtetit Islamik. Grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse nëpër palestra, institucione arsimore dhe fetare, madje edhe në transportin publik, duke shkaktuar qindra viktima civile.
Murtaza u bë një objektiv për grupet konservatore dhe madje edhe rrëmbyesit, pasi mori një fanellë futbolli të nënshkruar nga Messi, më pas udhëtoi për në Katar ku u takua me idhullin e tij në vitin 2016, gjë që krijoi zëra tek të afërmit se Messi i kishte dhënë djalit shumë para.
Familja ka marrë vazhdimisht kërcënime, kryesisht në telefon, duke i detyruar ata të ndryshojnë vendbanimin e tyre pothuajse çdo vit. “Ne jemi shumë të frikësuar. Sapo talibanët të vendosen mirë në Kabul, ata mund të fillojnë kërkimet derë më derë dhe të gjejnë Murtaza. Çfarë do të ndodhë me ne? – pyet motra e tij 22-vjeçare, Mahdia Ahmadi. – Kabuli ishte i sigurt dy muaj më parë, kur arritëm këtu, kishim policinë dhe ushtrinë që na mbronin, tani nuk kemi askënd”.
Mahdia më tej tha se sa herë që dikush troket në derën e tyre, Murtaza mendon se janë talebanët dhe “vrapon drejt meje ose nënës për t’u fshehur”. Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme dhe lëvizjes së vazhdueshme, Murtaza nuk ka qenë në gjendje të ndjekë rregullisht shkollën. Pavarësisht se është 10 vjeç, ende ndodhet në klasën e dytë.
Familja “Ahmadi” kishte ikur në Pakistan në maj 2016 me shpresën për të marrë azil në SHBA. Sidoqoftë, kërkesa e tyre për azil u refuzua dhe ata u detyruan të ktheheshin në fshatin e tyre, për t’u zhvendosur në mënyrë të përsëritur. Ata tani po përpiqen të largohen nga vendi edhe një herë, por nuk kanë qenë të suksesshëm deri më tani.
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet