zoom

Aktualitet

VENDIMI/ U arrestua për dhunë ndaj njerkës, Apeli liron djalin e “gjeneral” Nehat Kullës

Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar pas më shumë se një jave paraburgimi, djalin e ish-“gjeneralit” të ndjerë Nehat Kulla, i arrestuar dhe akuzuar pbr dhunë në familje të përsëritur dhe konkretisht ndaj njerkës së tij.

Arrestimi i Robert Kullës, i arrestuar dhe akuzuar më parë për grabitje banke në ish-“Bllok”, ishte bërë nga Komisariati nr. 4 në kryeqytet. Shkalla e parë kishte dhënë “arrest me burg”, por Apeli vendosi që ta lirojë si më poshtë.

Vendimi i Apelit:

“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi kallëzimin e shtetases me iniciale L. K, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasiit me iniciale R. K, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë  ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim, shtetasin me iniciale R. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024, ka vendosur:

Vlerësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit R. K.

Caktimin si masë së sigurimit personal ndaj personit nën hetim atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

Urdhërohet policia gjyqësore që ta çojë menjëherë në një institur paraburgimi personin nën hetim R. K.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale R. K, i cili kërkoi prishjen e vendimit, lirimin e menjëhershëm pasi nuk e ka kryer veprën penale. Në alternativë caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 14.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fuat Vjerdha vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me këto ndryshime:

– Caktimin ndaj të dyshuarit R. K të masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke e urdhëruar të dyshuarin R. K të mos largohet nga banesa e tij…

– Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dyshuarit R. K nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor”. /ZOOM.AL/