Aplikacion
Trupat ukrainase depërtuan përtej kufirit në një inkursion të befasishëm më 6 gusht të vitit të kaluar dhe kanë arritur të mbajnë një pjesë të territorit atje, gjë që mund t’i sigurojë Kievit një mjet të rëndësishëm negocimi në bisedimet e mundshme të paqes.
Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, postoi në rrjetin Telegram se kishte “lajme të mira” nga rajoni Kurskut, duke shtuar se: “Rusia po merr atë që meriton”. Sipas Kievit, trupat ruse u sulmuan në disa drejtime.
Ndërkohë Moska pretendoi se trupat ruse kishin zmbrapsur me sukses dy sulme të forcave ukrainase.
Raportet nga blogerët e luftës në Rusi, të cilët mbështesin agresionin në Ukrainë, por që shpesh kanë raportuar në mënyrë kritike për dështimet e ushtrisë, treguan se sulmi ukrainas i kishte vënë forcat ruse të paktën përkohësisht në mbrojtje. Agjencia e lajmeve Reuters tha se mund të verifikonte në mënyrë të pavarur situatën në terren.
Vlerësimet ukrainase dhe perëndimore thonë se rreth 11 mijë trupa nga aleati i Rusisë, Koreja e Veriut, janë vendosur në rajonin e Kurskut për të mbështetur forcat e Moskës. Rusia as e ka konfirmuar, as mohuar praninë e tyre.
“Komandanti i Përgjithshëm më raportoi për situatën në rajonin e Kurskut. Konkretisht, në betejat e djeshme dhe sot pranë vetëm një fshati, Makhnivka në rajonin e Kurskut, ushtria ruse humbi gati një batalion ushtarësh këmbësorie, koreano-veriore dhe rusë”, deklaroi President i Ukrainës në një video në rrjetin Telegram.
Zoti Zelenskyy tha se do t’u bëjë thirrje përsëri aleatëve për të rritur mbrojtjen ajrore të vendit të tij në një takim këtë javë në Gjermani. Ai tha se dhjetëra vende partnere do të marrin pjesë në takimin në bazën ajrore Ramstein në Gjermani të enjten
“Detyra mbetet e pandryshuar: forcimi i mbrojtjes sonë ajrore”, deklaroi ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin, do të marrë pjesë në takimin, i cili fillimisht do të mbahej në muajin tetor të vitit të kaluar dhe do të merrte pjesë edhe presidenti amerikan Joe Biden. Por takimi u shty për shkak të përgjigjes ndaj uraganit Milton që goditi SHBA-në.
Në javët e fundit në detyrë, administrata Biden ka bërë trysni për të dërguar sa më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë.
Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën territorit të Ukrainës, por suksesi i papritur i forcave ukrainase që po kontrollojnë një pjesë të territorit rus mund të rrisë pozicionin e saj negociues teksa të dyja palët po përgatiten për bisedime të mundshme paqeje këtë vit.
Rusia dhe Ukraina janë përpjekur të përmirësojnë pozicionet e tyre në fushën e betejës përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të betohet më 20 janar. Zoti Trump ka thënë vazhdimisht se do t’i japë fund shpejtë luftës, por pa thënë se si. VOA/