zoom

Bota

Trump synon Groenlandën, Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë: Gati për forcë ushtarake dhe ekonomike

Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën.

Trump theksoi se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara: “Nuk e përjashtoj përdorimin e forcës ushtarake. Ndodh që do të duhet të bëjmë diçka. Kanali i Panamasë ka rëndësi jetike për vendin tonë. Groenlanda na duhet për qëllime të sigurisë kombëtare”.

Groenlanda është territor autonom i Danimarkës, një aleat tradicional i Shteteve të Bashkuara dhe njëra prej shteteve themeluese të NATO-s.

Ndërsa Trump bën deklaratat e fundit, djali i tij ka vizituar këtë të martë Groenlandën e cila është zonë e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë dhe të tjerët.

“Groenlanda është një vend i mahnitshëm dhe banorët do të përfitojnë shumë nëse dhe kur të bëhet pjesë e shtetit tone. Do ta mbrojmë dhe do ta ruajmë nga një botë e rrezikshme. Ta bëjmë groenlandën sërish të madhërishme!”– tha Trump.

Gjithashtu, presidenti i zgjedhur foli edhe për mundësinë që Kanadaja t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara.
Ai tha se për një gjë të tillë ai nuk do të mbështetej tek forca ushtarake, por në forcën ekonomike. Sugjerimet për bashkimin e Kanadasë me SHBA-të Trump i bëri më herët pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit Justin Trudeu, kur tha se shumë kanadezëve u pëlqen të jenë shteti i 51-të amerikan.

Postime të lidhura