Aplikacion
Zoti Kellogg, një gjeneral në pension, i cili ka qenë prej kohësh këshilltari kryesor i zotit Trump për çështje të mbrojtjes, shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare i ish-nënpresidentit Mike Pence, gjatë administratës së parë Trump.
Presidenti i zgjedhur e bëri njoftimin në llogarinë e tij në median sociale “Truth Social” ku shkruante: “Ai ishte me mua që në fillim! Së bashku, ne do të sigurojmë paqen përmes forcës dhe do ta bëjmë Amerikën dhe botën përsëri të sigurtë!”
Emërimi i zotit Kellogg vjen ndërsa në muajin shkurt shënohet tre vite që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë.
Zoti Trump ka kritikuar administratën Biden për ndihmën në miliarda dollarë për Ukrainën. Uashingtoni kohët e fundit ka rritur dërgesat në armatime dhe ka falur miliarda dollarë në kredi që i janë dhënë Kievit.
Presidenti i ardhshëm republikan ka thënë se ai mund t’i japë fund luftës në 24 orë, por pa dhënë detaje se si do të ndodhë një gjë e tillë.
Në prill në një artikull për Institutin e Politikave Amerika e Para, një nga disa grupet e formuara pas administratës së parë Trump për hedhjen e bazave për administratën e ardhshme republikane, zoti Kellogg shkruante se “përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë do të kërkojë një udhëheqje të fortë bazuar tek politika Amerika e Para, për të arritur një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund menjëherë konfliktit mes palëve ndërluftuese”./VOA
Trump emëron këshilltarin e vjetër Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë