zoom

Aktualitet

Tronditet Lushnja! Shpërthen tritoli në një dyqan, pronari person me precedentë

Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në hyrje të një dyqani në Lushnje, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar të lënduar. Shpërthimi ka ndodhur në pronësi të dyqanit të Arjan Aliços.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:25, në lagjen “Skënder Libohova”, dhe nga shpërthimi i lëndës plasëse është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti në pronësi të Aliços. Ky i fundit njihet si person me precedentë penalë të mëparshëm. Mirëpo edhe i biri nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit.

Më 28 mars, ai u ekstradua nga Kroacia, pasi është dënuar 13 vite për vrasje të mbetur në tentativë. Xhino Aliço në bashkëpunim me babain e tij, Arjanin, në vitin 2016 kanë plagosur me thikë dhe sende të forta, Julian Sulën, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup dhe në kokë. Pas ngjarjes, Xhino ishte larguar nga Shqipëria, por u dënua në mungesë me 13 vite heqje lirie.

Ndaj Policia e Shtetit po heton disa pista për të zbuluar se cilët janë autorët e vendosjes së lëndës plasëse, megjithatë në fokus të “bluve” është hakmarrja për ndodhinë e 2016-ës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po vijon punën për identifikimim dhe kapjen e autorëve.