zoom

Ekonomi

Tregu i punës/ Pagat në privat të indeksohen çdo vit me inflacionin

Kompanitë duhet të fusnin në kulturën e punës indeksimin e përvitshëm të pagave me inflacionin, sugjeruan të anketuarit që punonin në sektorin privat në një sondazh që “Monitor” zhvilloi për kushtet që ofron tregu i punës, të cilit iu përgjigjën 533 persona, 95% e të cilëve ishin me arsim të lartë.

Në sektorin privat nuk ka një politikë të qartë për rritjen e pagave dhe ndryshe nga sektori shtetëror, ato rriten me intervale më të rralla ose në shumë raste nuk ndryshojnë për vite të tëra.

“Ka një hendek mes aftësive që kërkohen nga punëdhënësit dhe aftësive që ofron fuqia punëtore, gjë që e bën të vështirë për individët të gjejnë punë të përshtatshme” komentoi një punonjëse 30-39 vjeç në media.

Përgjithësisht, të gjithë të anketuarit në sektorin privat nuk ishin dakord me politikën e pagave që ndiqej në kompanitë ku ata punojnë. Nuk ka plane të qarta për burimet njerëzore dhe paga nuk përdoret si stimul për punonjësit me produktivitet më të lartë.

“Kompanitë private duhet të paktën të indeksojnë pagat me inflacionin” komentoi një punonjëse në sektorin e medias. Një punonjëse tjetër në media tha se “pagat duhet minimalisht të indeksohen me inflacionin çdo vit. Duhen një deri në dy bonuse në vit dhe duhet të respektohet përvoja dhe të nxitet mundësia e karrierës”.

Një i ri 29 vjeç, që punon në sektorin bankar, tha se duhen marrë masa që të ulen produktet e importit dhe të ndërmerren politika për nxitjen e prodhimit vendas. Më tej, ai sugjeroi se “duhet përcaktuar një dysheme pagash për profesione të caktuara, më saktësisht të sapodiplomuarit.

Të bëhet e detyrueshme për sektorin privat indeksimi vjetor i pagës me normën e inflacionit. Duhet të aplikohen politika fiskale lehtësuese për moshën e re, p.sh. norma favorizuese interesi për kredi hipotekore, duke pasur mbështetje nga shteti”.

“Pagat nuk indeksohen sipas inflacionit, çmimet për shportën e ushqimeve janë të larta, shteti nuk e rimburson TVSH e shportës”, komentoi një punonjës nga kompanitë e sigurimeve, që kishte pagë mujore mbi 120 mijë lekë.

Një tjetër punonjës IT, që kishte pagë mbi 120 mijë lekë në muaj, komentoi se “çmimet e ushqimeve dhe karburanti janë të larta dhe indeksimet e pagës nuk i mbulojnë këto rritje të vazhdueshme.

Arsimi nuk i përgjigjet tregut të punës

Një pjesë e madhe e të anketuarve mendojnë se ka një hendek ndërmjet nivelit arsimor dhe nevojave që ka aktualisht tregu i punës.

Një punonjës tjetër nga sektori bankar pohoi se në Shqipëri ka mungesë serioziteti në procesin e rekrutimit. “Pasi fillon punë nuk trajnohesh për atë që do të bësh. Ka disnivele të theksuara në paga për të njëjtin pozicion brenda kompanisë. Ka mungesë të theksuar serioziteti dhe profesionalizmi”, shtoi ajo.

Një punonjës tjetër nga sektori bankar tha se, hapi i parë do të ishte inkurajimi i studentëve që në vitet e para të universitetit që të integrohen në tregun e punës, me anë të orareve fleksibël dhe pagesave të kënaqshme.

Ai shtoi se duhet një marrëdhënie e shëndetshme universitet-treg pune, duke bërë të mundur një përshtatje më të mirë të kërkesave të tregut me kuotat e universiteteve për fakultete të caktuara. I njëjti punonjës tha se zgjerimi i mundësive për vendeve të reja pune, duhet fokusuar dhe më shumë në qytete dhe jo vetëm në metropol.

Një punonjës i administratës publike në grupmoshën 50-59 vjeç sugjeroi se përmirësimi i tregut të punës dhe nivelit të pagave kërkon një përpjekje të koordinuar mes shtetit, sektorit privat dhe institucioneve arsimore.

Ky angazhim, sipas tij, përfshin reforma në arsimin profesional, zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomikë, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbështetje për inovacionin dhe rritjen e produktivitetit.

Nepotizmi dhe mungesa e meritokracisë pengon zhvillimin profesional

Të anketuarit shfaqën shqetësim për mungesën e meritokracisë dhe praninë e nepotizmit si në shtet, ashtu dhe në privat, si pengesa kryesore për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për t’u rritur në karrierë.

“Nuk ka meritokraci, nuk zbatohet Kodi i Punës dhe ka një sistem pagash me mik”, komentoi një punësuar në Organizata Joqeveritare.

Një tjetër i anketuar që punon në sektorin e industrisë së naftës dhe gazit në sektorin privat u ankua se “mungon meritokracia dhe transparenca në plotësimin e vendeve të lira të punës. Zhvillimi dhe promovimi funksionon në bazë të lidhjeve dhe njohjeve. Pagat dhe kushtet e punës nuk janë të mjaftueshme”.

Një punonjëse marketingu në sektorin privat tha se ka “mundësi të kufizuara, mungesë të meritokracisë. Mundësitë janë të kufizuara dhe privati është ende në epokën e skllavopronarit”. Punonjësit në sektorin publik janë të shqetësuar gjithashtu për klientlizëm dhe mungesën e meritokracisë.

Mungesa e mundësive dhe kompanive ndërkombëtare, shqetësim

Mungesa e kompanive ndërkombëtare në tregun tonë kufizon mundësitë për karrierë të personave të shkolluar dhe i limiton vendet e punës me paga të larta.

Një jurist në sektorin privat u shpreh se “mungojnë kompanitë ndërkombëtare, të cilat do të hapnin vende pune cilësore. Nuk ecet para me oligarkët që shkelin të drejtat e punëmarrësve”.

Të anketuarit gjithashtu u ankuan se tregu shqiptar kishte mundësi të kufizuara për t’u zhvilluar në profesionet për të cilat janë arsimuar, teksa vunë në dukje se ka shumë pak vende pune të mira.

“Mungesa e vendeve të punës në profilin tim, kultura e ulët e punës në lidhje me servilizmin dhe spiunët, mungesa e meritokracisë janë sfida me të cilat përballem në vendin tim të punës”.

Një tjetër komentues tha se “mungesa e vendeve të punës në profilin tim është problem i madh, gjithashtu kultura e ulët e punës në lidhje me servilizmin dhe spiunët dhe mungesa e meritokracisë”, tha një i ri që punon në sistem bankar.

“Tregu është i vogël dhe ka pak mundësi për zhvillim profesional. Në sektorin publik ka mungesë totale të meritokracisë dhe vlerësimit të performancës. Shumë gjëra bëhen sa për statistikë, por nuk kanë një ndikim të vërtetë në ecjen përpara”, komentoi një punonjëse në sektorin shëndetësor privat.

Ndërsa një inxhinier IT, u ankua se “tregu i punës për profesionin e tij është i vogël dhe privati në përgjithësi ka kushte mjerane. Të shikon si skllav dhe jo si punëmarrës”.

Informaliteti dhe moszbatimi i Kodit të Punës, shqetësim

Informaliteti është një fenomen i përhapur si në sektorin privat, edhe në atë shtetëror. Në sektorin privat, të anketuarit pohojnë se nuk ka deklarim të plotë të pagës, ndërsa në shtet pohojnë se informaliteti lidhet me moszbatimin e Kodit të Punës.

“Duhet të respektohen plotësisht dhe rreptësisht dispozitat e Kodit të Punës apo legjislacioni përkatës mbi kushtet e punës, për orët shtesë.

Duhet të shtohet motivimi nëpërmjet bonuseve sa më shumë, si dhe duhet të krijohet kultura e të kultivuarit punonjës të mirë dhe besnikë, duke i trajtuar mirë e duke i motivuar vazhdimisht”, komentoi një jurist që punon në sektorin publik

“Tregu shqiptar dhe shteti ynë ka nevojë për kulturë, arsim dhe dije. Mungesa e korrektësisë, mungesa e zbatimit të Kodit të Punës, dëshira për të vjedhur dhe për të përfituar në afatshkurtër vjen nga mungesa e kulturës dhe vizionit në afatgjatë.

Për fat të keq, mendoj se ndryshimet rrënjësore prekin një aspekt afatgjatë, kompleks dhe asnjë praktikë afatshkurtër nuk e ndryshon dot situatën në tregun shqiptar.

Duhet theksuar që problemi qëndron edhe te rregullatori, i cili nuk kontribuon në përmirësimin e tregut, por përkundrazi e përforcon frymën e korrupsionit, mungesës së meritokracisë dhe vizionit afatshkurtër”, – tha një punonjës nga sektori bankar.

Një tjetër komentues tha se “informaliteti, moszbatimi i Kodit të Punës dhe kontratave të punës, sjellja e menaxherëve me punëmarrësit në raport pronësie pavarësisht se punon në sektor publik, korrupsioni masiv, linçimi etj.” mbeten probleme sipas një punonjësi në sektorin publik.

Për një tjetër inxhinier në sektorin privat “informaliteti, mungesa e profesionalizmit, mungesa e përgjegjësisë, qoftë nga institucionet publike por dhe operatorët privatë janë problem. Informaliteti i pagave, mosrespektimi i Kodit të Punës bashkë me pagat e ulëta” janë shqetësim në ambientin e tij të punës.

Sugjerimet, çfarë mund të përmirësohet

Shumica e të anketuarve janë profesionistë të mirarsimuar, të angazhuar në sektorin privat dhe atë publik. Disa prej tyre dhanë sugjerime të vlefshme se çfarë duhet të përmirësohet në kushtet e punës, nivelin e pagave, ngritjen në karrierë etj.

Një punonjëse nga sektori i sigurimeve sugjeroi “dixhitalizim në një shkallë më të lartë, trajnime dhe kualifikime të vazhdueshme të punonjësve, mundësi për të eksportuar shërbime dhe ekspertizë jashtë Shqipërisë për të rritur output-in e prodhimeve dhe shërbimeve. Pagat të rriten gradualisht për t’i përshtatur me kostot e jetesës në Shqipëri”.

Një inxhiniere në sektorin privat, e moshës 50-59 vjeç, me pagë mbi 120 mijë lekë në muaj, sugjeroi që “çdo certifikim që merret në profilin e punës nga punëmarrësi duhet të reflektohet në pagesën e tij.

Kjo do të motivonte të rinjtë të ndiqnin kurse profesionale të vazhdueshme, pasi zhvillimet teknologjike kërkojnë aftësi të reja profesionale.

“Duhet të krijojnë ambiente pune komode dhe motivuese. Duhet të bëjnë promovime (rotacione) brenda një viti për të shmangur monotoninë në të njëjtin pozicion. Duhet të bëjnë vlerësime të pagave në bazë të aftësive, viteve të punës dhe eksperiencës.

Të trajnojnë stafin për ndryshimet e reja që ndodhin në legjislacione apo në fushat të tjera që lidhen me punën”, – tha një punonjëse 20-29 vjeç nga sektori bankar.

Një i vetëpunësuar në sektorin e turizmit kërkoi incentivim nga politikëbërësit. “Të ulet masa e tatimeve, sepse jemi në një gjendje skandaloze, ne paguajmë për shëndetësi dhe nuk e marrim; ne paguajmë për ambient të pastër dhe nuk e marrim; ne paguajmë për edukim dhe nuk e marrim; paguajmë për drejtësi, por nuk e marrim.

Pra ato kontribute, përveçse janë të shtrenjta ne nuk i shfrytëzojmë dhe na kërkohet t’i paguajmë sërish, kjo është arsyeja pse shqiptarët ikin.

Nëse do ketë siguri publike, veç të tjerave ne paguajmë shumë shtrenjtë taksën e karburantit, taksat direkte në ushqime. Nuk e dimë si ia dalim. Pra ne jetojmë në një botë virtuale, paguajmë për shërbime që nuk i marrim”.

“Mendoj që kryesore për përmirësimin e tregut të punës është përzgjedhja dhe avancimi sipas meritokracisë. Çdo punonjës duhet të vlerësohet dhe paguhet për punën që bën dhe jo sepse është miku i dikujt nga brenda.

Duhet ndërhyrje efikase dhe urgjente për të ruajtur burimet njerëzore, pasi shumë kompani nuk e kanë idenë se Kapitali Human është një nga shtyllat më të rëndësishme ku mbështetet sipërmarrja private dhe më specifikisht edhe suksesi i saj”, – sugjeroi një punonjës në sektorin bankar, që i takon grupmoshës 50-59 vjeç.

Një punonjëse në media sugjeroi se duhet të bëhet “rritje pagash në bazë të meritokracisë. Më shumë trajnime profesionale. Është e nevojshme të aplikohet puna hibride, pra të alternohen ditë të punës në zyrë me ditë të punës remote. Kjo do të motivonte punonjësit, nga puna fleksibël”.

Një inxhinier në administratën publike i moshës 50-59 vjeç dha një koment të gjatë në lidhje me reformimin e tregut të punës në vendin tonë si më poshtë:

“Përmirësimi i tregut të punës dhe nivelit të pagave në Shqipëri kërkon një qasje të integruar, ku përfshihen politika të ndryshme që adresojnë sfidat strukturore të ekonomisë dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Disa nga ndryshimet më të nevojshme janë:

Së pari, përmirësimi i sistemit arsimor dhe aftësive profesionale: Të krijohen mundësi për trajnime të vazhdueshme dhe përforcim të kurrikulave në shkolla dhe universitete, duke siguruar që ata që dalin nga sistemi arsimor të kenë aftësi që kërkohen nga tregu i punës.

Lidhja më e ngushtë midis arsimit dhe nevojave të tregut mund të ndihmojë në mbylljen e hendekut mes kërkesës dhe ofertës për punë të kualifikuar.

Së dyti, përmirësimi i kushteve të punës dhe formalizimi i punës: Një nga sfidat kryesore është puna informale, që e bën të vështirë rritjen e standardeve të punës dhe nivelit të pagave.

Promovimi i punës formale dhe krijimi i kushteve më të mira për punonjësit (sigurime shëndetësore, pensione, dhe mbrojtje sociale) mund të rrisë motivimin dhe produktivitetin e punonjësve.

Së treti, përkrahja e Bizneseve të Vogla dhe të Mesme (BVM) dhe nismave të reja: Ndihma për bizneset që të krijojnë vende të reja pune është esenciale.

Kjo mund të bëhet përmes subvencioneve, lehtësive tatimore dhe mundësive financiare për investime në teknologji dhe zhvillimin e produktivitetit. Mbështetje për ndërmarrjet e reja dhe ato në sektorë inovativë mund të krijojnë mundësi për paga më të larta dhe një treg punës më dinamik.

Së katërti, përmirësimi i infrastrukturës dhe rrjetet dixhitale: investimet në infrastrukturë, si dhe krijimi i mundësive për punë online dhe distancë, mund të hapin mundësi të reja për punë të kualifikuar dhe do të mundësojnë që punonjësit nga zonat rurale të kenë mundësi të barabarta me ata nga qytetet.

Puna në distancë ka potencial për të rritur nivelin e pagave, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe shërbimeve.

Së pesti, politika të orientuara drejt barazisë dhe pagave të drejta: Duhet të punohet për të siguruar një mjedis të drejtë punësimi dhe për të reduktuar diskriminimin në pagë dhe mundësi punësimi, duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha grupet, përfshirë gratë, të rinjtë dhe minoritetet.

Kjo mund të ndihmojë në shpërndarjen më të drejtë të mundësive dhe pagave në të gjithë shoqërinë.

Së gjashti, rritja e investimeve të huaja dhe zhvillimi i sektorëve të përshtatshëm: Investimet e Huaja Direkte mund të krijojnë mundësi për vende pune me paga më të larta dhe mundësi zhvillimi. Zhvillimi i sektorëve si teknologjia, energjia e ripërtritshme dhe shërbimet financiare do të krijonin mundësi për pozita të kualifikuara dhe pagë më të mirë.

Së shtati duhen politika fiskale dhe mbështetje që të mundësojnë rritjen e pagave: Rishikimi i politikave fiskale që mbështesin rritjen e pagave, si përmes uljes së taksave për të ardhurat e punës, ose përmes shpërndarjes së stimujve për rritjen e pagave, mund të stimulojë bizneset që të ofrojnë më shumë mundësi për punë dhe rritje të pagave.

Në përfundim, përmirësimi i tregut të punës dhe nivelit të pagave kërkon një përpjekje të koordinuar mes shtetit, sektorit privat dhe institucioneve arsimore.

Kjo përfshin reforma në arsimin profesional, zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomikë, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbështetje për inovacionin dhe rritjen e produktivitetit”, komentoi inxhinieri./MONITOR

Postime të lidhura