zoom

Lajme

Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, Rama: Jam pa fjalë! Të gatshëm të ndihmojmë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut, ku autoritetet kanë raportuar së fundmi se bilanci zyrtar i ngjarjes së rëndë është 51 viktima dhe 118 të plagosur.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare shpreh ngushëllimet për këtë ngjarje të rëndë, si edhe gatishmërinë për ndihmë ndaj shtetit fqinj.

“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme,”- shkruan Rama.

Tragjedia në Maqedoninë e Veriut ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në klubin e natës “Koçani Pulse” në të cilin ndodheshin rreth 1500 të rinj, duke ndjekur një koncert të një grupi të famshëm vendas. / Zoom.al

Postime të lidhura