zoom

Lajme

Tragjedia me 59 të vdekur në Maqedoninë e Veriut/ Qytetarët shkatërrojnë lokalin

Një ditë pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mijëra qytetarë u ngritën në protestë.

Të mbledhur para lokalit të natës, ku 59 persona humbën jetën si pasojë e një zjarri, protestuesit shprehën zemërimin e tyre për ngjarjen dhe kërkuan drejtësi e përgjegjësi.

Disa prej tyre shkelmuan pjesën e mbetur të lokalit, në shenjë revolte për jetët e humbura, që mund të ishin shmangur.

Ata hodhën vezë dhe shishe në ndërtesën e bashkisë së qytetit, duke thyer dyert dhe dritaret.

Qytetarët vendosën lule dhe ndezën qirinj në kujtim të viktimave.

Disa mbanin pankarta që shkruanin “Ne nuk vdesim nga aksidentet – ne vdesim nga korrupsioni” dhe “Gjithçka është e ligjshme këtu nëse keni lidhje.”

Në Shkup mijëra studentë dhe nxënës u mblodhën në sheshin e Universitetit Shtetëror “Kirili dhe Metodi” të qytetit për të nderuar të vdekurit e tragjedisë që ndodhi në orët e para të së dielës në lokalin e natës në Koçan.

Protestuesit njoftuan se tubime të ngjashme do të mbahen çdo ditë deri më 21 mars.

Postime të lidhura