zoom

Bota

Tragjedi në det, mbyten 57 emigrantë nga Afrika, mes tyre 12 fëmijë

Një organizatë humanitare spanjolle raporton se 57 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një gomone me emigrantë që ishte nisur nga Afrika Veriore dhe që kishte si destinacion ishujt Kanarie.

Aktivistja themeluese e organizatës ‘Caminando Fronteras’, Helena Maleno, tha se 12 prej tyre ishin të mitur.

Përmes llogarisë së tij zyrtare në Twitter, Maleno shpjegoi se pjesa tjetër e viktimave janë 28 gra dhe 17 burra.

“I jepni fund kësaj masakre në Kufi”, përfundon mesazhin e saj aktivistja në rrjetet sociale.

Të kontaktuar nga The Associated Press, as shërbimi i shpëtimit detar i Spanjës dhe as shërbimet e urgjencës në Ishujt Kanarie nuk kishin informacion në lidhje me incidentin e raportuar.

Rruga e Atlantikut nga bregu perëndimor i Afrikës në Ishujt Kanarie të Spanjës është bërë një nga rrugët më të përdorura dhe më vdekjeprurëse për ata që dëshirojnë të arrijnë në Evropë.

Që nga fillimi i vitit 2021, ka pasur “një humbje alarmante të jetëve” në rrugën drejt Ishujve Kanarie, tha Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në një raport të lëshuar një javë më parë.