zoom

Aktualitet

Tragjedi e paralajmëruar/ Skafi godet për vdekje fëmijën 5 vjeç në plazhin e Potamit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në plazhin e Potamit mesditën e sotme (2 gusht), ku një skaf, në drejtimin e të cilit ishte një komisar policie, goditi për vdekje një fëmijë 5 -vjeçar.

“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje”, njoftoi policia.

Drejtuesi i mjetit është Arjan Tase, ish -shef i Komisariatit të Himarës, aktualisht me detyrën e Shefit të Policimit në Komunitet në Policinë e Elbasanit.

Ai ishte me pushime në Potam, jashtë shërbimit. Skafin mësohet se e kishte të një mikut të tij.

Dëshmitarë okularë thanë për Zoom.al se skafi po bënte manovra të rrezikshme në det, afër pushuesve.

Ai i është afruar me shpejtësi bregut, në një zonë ku nuk kishte shenja se ai mund të ankorohej.

Burime bëjnë me dije se fëmija u godit në prani të prindërve të tyre, që kishin ardhur me pushime nga Holanda.

Dy javë më parë një tjetër fëmijë 7 vjeç u godit nga një skaf në plazhin e Jonufrës. Ndërsa në plazhin e Jalit, një skaf tjetër doli në breg me shpejtësi, duke plagosur dy pushues.

Situata jashtë kontrollit bëri që ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi të lëshojë një paralajmërim të fortë për drejtuesit e policisë në zonat bregdetare. Por paralajmërimet e tij në formë kërcënimi duket se kanë qenë vetëm për show, pasi në të gjitha plazhet shqiptare, motorët e ujit, gomone e skafe lëvizin pa asnjë rregull. /Zoom.al

Postime të lidhura