zoom

In Zoom

Trafikantët e drogës nuk kanë më frikë

Ka kohë që është kështu. Boom-i i kanabisit në 2015 – 1017 i ka fuqizuar së tepërmi grupet e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Janë miliarda euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal. Vetëm nga Lazarati, “Guardia di Finanza” përllogariste se përfitimet ishin 4.5 miliardë euro në vit, teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë arrinte në 10 miliardë euro.
Mjafton kjo shifër për të kuptuar sadopak se sa fituan këto grupe nga kultivimi i kanabisit i shpërtheu kufijtë e Lazaratit dhe preku çdo cep të vendit.

Vetëm paratë e fituara nga një fshat i vogël si Lazarati janë të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë janë të gatshëm të bëjnë trafikantët e drogës për të ruajtur perandorinë miliarda eurosh që u jep ky aktivitet, pa pyetur për pasojat. Me të ardhura gati sa PPB e vendit, ata nuk i ndalon më asgjë.

Me një polici politike dhe të paaftë, ku vetëm disa individë të ndershëm përpiqen të bëjnë detyrën, trafikantët po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre.
Me një politikë që u ka hapur dyert, duke i futur edhe në paralament, apo duke pranuar financimet e shpërbimet e tjera të tyre gjatë fushatës, narko-trafikantët janë ulur këmbëkryq si në vatrën e tyre.

Me gjyqësorin që shitet e blihet si në treg, ata zotërojnë tashmë gjithçka. Ata e kanë kthyer Shqipërinë në çerdhen që i strehon të patrazuar. Këtu vijnë e shndërrohen në biznesmenë të suksesshëm edhe kur në vende të tjera janë të shpallur në kërkim. Agron Xhafaj, vëllai i ish –ministrit të Brenshdshëm, Fatmir Xhafaj, është shembulli tipik i trafikantëve –biznesmenë, por si ai janë me qindra të tjerë. Me kaq pushtet ekonomik e politik, narko-trafikantët s’ka asgjë që i ndalon.

Saimir Hoxha, efektivi i policisë së Lezhës që u vra mëngjesin e sotëm nga anëtarë të grupeve të tilla, që kanabisin po e kultivojnë edhe në rezerva shtetërore, si Kune Vaini, është viktima e radhës.

Ai u qëllua se i ishte afruar më shumë sesa duhet territorit që kontrollojnë bandat kriminale të narko-trafikut. Trafikantët nuk patën frikë ta ngrinin armën kundër tij dhe 2 kolegëve të tij që po kontrollonin zonën.

Ata nuk kanë më frikë. Frikën e kanë vrarë me para, sepse me miliardat e fituara nga trafiku mund të blejnë fare lehtë edhe lirinë, siç ka ndodhur këto vitet e fundit me mjaft krerë të grupeve kriminale që e kanë parë dritën e lirisë sërish edhe pse ishin dënuar me burg përjetë.

Aq shumë para kanë në dorë, saqë kanë korruptuar një shoqëri të tërë. Kush ngre dorë kundër tyre, përgjigjen e ka me plumba dhe eksplozivë! Kështu ka ndodhur në Kolumbinë e Pablo Eskobarit, në Meksikën e El Chapos apo në Sicilinë e Cosa Nostras. Tani radhën e ka Shqipëira. /Zoom.al

Postime të lidhura