zoom

Aktualitet

Trafik vajzash për prostitucion në Suedi, 42-vjeçari kapet “mat” në Rinas

Policia në Rinas, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, zbuloi këtë të premte një rast të trafikut të vajzave drejt Suedisë për shfrytëzim prostitucioni.

Efektivët arrestuan një 42-vjeçar me inicialet S. O., i cili është shtetas suedez, që siguronte dokumente false për vajzat që trafikoheshin.

Ai u prangos sepse sipas policisë, ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë dhe kishte si qëllim final ta trafikonte në Suedi.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi policia.