zoom

Lajme

Tone të larta në Komision, Ndreca: Jo deklarata politike! Vokshi: Skandale… (Debati i plotë)

Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca, teksa mori fjalën në komisionin hetimor për hetimin e koncesionit të Sterilizimit dhe Check-Up-it, kritikoi kryetaren Albana Vokshi për qasjen e saj dhe akuzat, ende pa nisur punimet ky komision.

Ai tha se nuk duhet të paragjykohet kjo çështje, e cila do të merret nën shqyrtim nga ky komision.

“Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë komisioni, duke iu referuar këtyre deklaratave që bëtë, keni paragjykuar këtë komision. Nëse konkludoni këtë gjë, fyeni këtë çështje, për të cilën ne do të hetojmë. Ne jemi ngritur për të hetuar, për të mos paragjykuar. Nëse vijojmë me deklarata partiake, ndërkohë ne jemi këtu për të dalë te e vërteta, e kemi nisur me këmbën jo të mbarë këtë komision. Do ju tërhiqja vëmendje zonja kryetare, respektoni kushtetutën.

Për konstituimin e mbledhjes, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare. Duhet të kishim një vendim të zbardhur. Sot një prej anëtareve, mungon, Klodjana Spahiu, e cila është zëvendësuar. Sot duhet të zgjedhim dhe sekretarin e komisionit, që të vijojmë dhe punën”, tha Ndreca.

Ndërkohë, Vokshi iu përgjigj duke shtuar se këto dy cështje që do të diskutohen në komision, janë dy afera dhe skandale të mëdha.

“Kam diskutuar me drejtoreshën juridike dhe përfaqësues të Kuvendit dhe vendimi është zbardhur. Por për shkak të një numri në këtë vendim, është vonuar kjo çështje. Kush e përmendi fjalën dhunë? E paskeni në subkoshiencë të që mendoni ju se do të themi, Por ne nuk themi atë që mendoni ju.

Shpresoj dhe mendoj se deputetët e këtij komisioni do të ngrihen në lartësinë e duhur për të zbardhur dy prej aferave dhe skandaleve në gjykimin jo vetëm tonin, por dhe të mbarë opinionit publik”, tha ajo.

Më tej Ndreca kërkoi që të kishte dhe një bashkëkryetar për këtë komision, ndërkohë që Vokshi ia kthehu duke shtuar se; kryetarja jam unë!

“Për sa kohë sa jam unë do e drejtoj unë këtë komision. Ka një kryetar. Nuk kemi dy bashkëkryetarë, përndryshe do të ishin dy. Do të ishit dhe ju këtu për të drejtuar. Drejtohet nga kryetari. Kur unë mos të jem, do të jeni ju zoti Ndreca”, tha ajo.

Debati në Komision:

Vokshi: Kjo është nisur mbi bazën e raporteve dhe akuzave. Qetësohu se kemi katër muaj.

Ndreca: Nuk kemi ardhur për të të dëgjuar ty.

Vokshi: Jemi ne që e kemi denoncuar. Jemi bazuar në një sërë raportesh. Nëse ju kanë urdhëruar të vini të bëni zhurmuesin….Bëni detyrën e deputetit.

/ZOOM.AL/