zoom

Ekonomi

Tjetër tender për rrugën Kardhiq-Delvinë. Nisur në 2007-n, financimi mbaron në vitin 2024

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka hapur tenderin 1.44 mld lekë, 12 mln euro për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë Loti 8, që parashikon sistemimin dhe rivitalizimin e Skarpateve.

Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 15 prill.

Qëllimi i projektit në fjalë është mbrojtja, rivitalizimi dhe stabilizimi i skarpateve në gërmime dhe në mbushje për rrugën e re nga Ura e Kardhiqit deri në Delvinë.

Për realizimin e këtij qëllimi, synohet një zgjidhje afatgjatë që të sigurojë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe peizazhin e gjithë shpateve të ndikuar nga hapja e rrugës.

“Rruga Kardhiq –Delvinë ka gjatësi 33 km, projekti i mbrojtjes do jetë vetëm nga kilometri 0 deri në kilometrin e 23-të, pasi vetëm kjo pjesë ka skarpata të larta dhe me rrezik nga rënia e materialit në trupin e rrugës, ndërsa pjesa tjetër nga kilometri 23-33, është zonë fushore dhe si rrjedhojë nuk kemi skarpata në gërmim”, thuhet në dokumentet e ARRSH.

Punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë, që kanë nisur që në vitin 2007, rreth 14 vite më parë, ende janë larg përfundimit, kurse kostot e punimeve po rriten vazhdimisht pasi financimet e buxhetit të shtetit po shkojnë për shtesa të punimeve dhe fitues të tendereva që janë hapur për çdo vit janë fituar nga kompani të ndryshme çdo herë.

Nga tabelat e Ministrisë së Financave, në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29%, duke shkuar nga 5.2 miliardë lekë në 6.7 miliardë lekë.

Qeveria ka njoftuar si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024.