zoom

Aktualitet

Tiranë, eksploziv lokalit në pronësi të një gruaje te “Komuna e Parisit”

Një shpërthim tritoli është regjistruar në orët e para të mëngjesit në hyrje të një lokali në rrugën “Prokop Mima” në Tiranë pranë zonës te “Komuna e Parisit”.

Sipas policisë, lënda shpërthyese ishte vendosur pranë lokalit të shtetases Sh. Gj., teksa sasia e saj ka qenë e vogël.

Nga shpërthimi është dëmtuar vetrata e lokalit dhe xhami i një automjeti të parkuar.

Tritoli është vendosur rreth orës 01:45 të kësaj të enjteje pas mesnat në lokalin në afërsi të “Komunës së Parisit” dhe lënda eksplozive ka shpërthyer pas pak minutash.

Por pronarët e lokalit nuk e kanë raportuar menjëherë në polici rastin kur e kanë konstatuar. Vetëm rreth orës 10:10 kanë njoftuar forcat e rendit.

Në dëshminë e tyre paraprake, ata kanë mohuar që të kenë probleme me persona të tjerë dhe nuk dinë se kush mund të jetë autori. Ndërkohë në pikën ku është vendosur tritoli nuk ka kamera sigurie.

Policia thotë se ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes./ Zoom.al