Aplikacion
Sipas informacionit zyrtar, më 26 gusht, inspektori me detyrë trupë operacionale në repartin e FNSH, Sajmir Halilaj është konfliktuar me dy persona, një prej të cilëve 15 vjeç.
Ai i ka intimiduar me uniformën e Policisë dhe i ka dhunuar më pas, teksa 15-vjeçarit i la edhe frakturë në krah.
NJOFTIMI NGA SHÇBA
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë ka arrestuar sot në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor S.H., 50 vjeç, me detyrë Trupë Operacionale në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetasve A.LL. dhe R.LL., si dhe të dhënave dhe fakteve të administruara nga kryerja e hetimeve paraprake.
Konkretisht, në orët e vona të mbrëmjes së datës 26.08.2021, punonjësi i policisë S.H. (jashtë detyre) është përfshirë në një konflikt fizik me kallëzuesit dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme, për shkak të intimidimit me anë të uniformës së Policisë, ai i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme shtetasit A.LL., 53 vjeç, si dhe frakturë në krah, shtetasit R.LL., 15 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.