zoom

Slider

Tirana vishet e kuqe për festa, Partizani fiton derbin, Kolela ul euforinë

Kryeqyteti vishet i kuq. Partizani është “hakmarrë” për humbjen në përballjen e parë, teksa këtë herë ka mposhtur Tiranën me shifrat minimale 0-1.

Një derbi që ashtu siç pritej, ofroi emocione dhe adrenalinë për tifozët.

Ndeshja u vendos që pa nisur ende mirë. Në minutën e 4-t, ishte Xhuliano Skuka ai i cili shkundi rrjetën dhe shënoi golin e vetëm të kësaj sfide.

Një duel edhe personal i fituar për Skukën, i cili mposht Xhixhën, konkurentin e tij në garën për golashënues të Superiores.

Sulmuesi i Partizanit shkon në kuotën e 10 golave, 1 më pak nga Xhixha.

Sa i përket derbit, rastet ishin të shumta në numër për të dyja skuadrat, ndërsa Partizani iu afrua më tepër golit me traversën e Carës në pjesën e dytë.

Fjalën e tyre në këtë përballje e thanë edhe tifozët, të cilët shkaktuar ndërprerjen e sfidës pak pasi nisi pjesa e dytë për shkak të spektaklit piroteknik që ofruan në “Air Albania”.

Partizani merr kështu tre pikë mjaft të vlefshme dhe udhëheq tashmë renditjen në “Abissnet Superiore”.

Ndërkohë menjëherë pas mbylljes së takimit, Kolela u shfaq sërish i ftohtë në intervistën e dhënë për “Oversport”.

“Në të gjitha ndeshjet ka edhe gjëra pozitive, edhe gjëra negative. Merkatoja? Janë vlerësime që do i bëjmë me qetësi. Nuk është momenti që të flasim tani. Do të ulemi me drejtuesit dhe do të vendosim për pikat ku do të përforcohemi. Nga kjo ndeshje kam kuptuar që duhet të kemi më shumë eksperiencë. I kemi menaxhuar më mirë emocionet e lojtarëve se sa në derbin e kaluar. Kjo mendoj që për lojtarët profesionistë është një gjë shumë e madhe. Diçka negative është që nuk arrijmë të menaxhojmë minutat e lojës pasi kalojmë në avantazh. Por në këtë ndeshje menaxhuam mjaft mirë në fazën mbrojtëse dhe për minuta të tëra arritëm të mos pësojmë gol. Sipas meje, shumë situata të tjera duhet të menaxhohen me qetësi dhe personalitet. Nota ime për skuadrën? Do t’i jam një notë të mesme, 6.5”, tha Kolela. /zoom.al/