Aplikacion
I konsideruar si njeriu i dytë më i pushtetshëm në PS, pasi që prej 2015 drejton bashkinë më të madhe në vend, Veliaj u bë ndër të parët politikanë që arrestohen në detyrë.
Me këtë akt, SPAK tregoi se asnjë pushtetar nuk është më imun ndaj drejtësisë.
Megjithatë çështja me të cilën ai po përballet është larg akuzave publike që e kanë shoqëruar gjatë tre mandateve si kryebashkiak.
Veliaj dyshohet se përfitoi 1.1 milionë euro para korrupsioni, derdhur në arkat e OJF-ve artistike të bashkëshortes Ajola Xoxa për tenderët dhe lejet e ndërtimit e dhëna në favor të gjashtë sipërmarrësve.
Vërtetë kjo çështje reflekton një aspekt të shpërdorimit të pushtetit, por nuk e shtrëngon Veliajn të japë llogari për keq-qeverisjen e kryeqytetit.
Prej vitit 2015, Tirana ka dalë në ankand, miliona metra katrorë ndërtim janë shtuar çdo vit, ndërsa mijëra qytetarë u dëbuan dhunshëm nga banesat në favor të projekteve të dyshimta që e kanë kthyer qytetin në kantier ndërtimi.
Mbi 500,000 m2 hapësira të gjelbra janë zhdukur, bashkë me premtimet për pyllin orbital. Dhjetëra banesa monument kulture janë shkatërruar.
Bashkia ka vjelë qindra miliona euro taksë nga ndërtimet, shitja e tokës publike dhe rritja e taksave vendore, por nuk ka blerë asnjë hapësirë për ta shndërruar në sipërfaqe të gjelbër për qytetarët.
Ndërkohë gazetarët që kanë denoncuar korrupsionin janë sulmuar dhe kërcënuar.
Nën drejtimin e Veliajt, Tirana ka njohur zhvillim urban agresiv me pasoja të konsiderueshme sociale.
Gjatë viteve 2016-2018, banorët e Unazës së Madhe, Shkozës dhe Selitës përjetuan shembje masive banesash pa konsultime dhe pa kompensim të denjë sipas vlerës së tregut.
Skema ishte e njëjtë: nën justifikimin e projekteve publike banorët që kontestonin shpronësimet largoheshin njësoj me dhunë si ata të cilëve iu ndërpritej procesi i legalizimit.
Protestat e vazhdueshme të banorëve nuk i ndalën fadromat e bashkisë, që nxituan t’i hapnin rrugë ndërtimeve të reja si Tirana Riverside, apo KombinArt.
Në zonat e Kombinatit, Astirit dhe “5 Majit”, procesi ishte më brutal: gaz lotsjellës dhe dhunë policore.
Veliaj i konsideroi pasojat e tërmetit të 2019-ës si “mundësi për zhvillim” duke hapur kantiere dhe zhvendosur komunitete të tëra me forcë.
Rreth 1,700 familje iu shtuan listës së të pastrehëve që edhe sot enden mes burokracive dhe premtimeve të pambajtura.
Veliaj u angazhua publikisht për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai shpërfilli qytetarët, artistët dhe organizatat ndërkombëtare që bënë thirrje për ruajtjen e ndërtesës për vlerat historike që mbarte.
Në vitin 2018, PS përdori forcën e kartoneve për të miratuar një ligj antikushtetues që i garantonte kompanisë “Fusha shpk” truall publik pa garë, në këmbim të ndërtimit të Teatrit të ri.
Ligji parashikonte leje ndërtimi për gjashtë kulla, – tre prej të cilave në truallin e teatrit.
Ky plan u kundërshtua fort nga një grup artistësh dhe qytetarësh të angazhuar.
Bisedimet për PPP-në i udhëhoqi Veliaj, si drejtues i bashkisë. Por në shkurt 2020, pa dhënë shpjegime bindëse, bashkia u tërhoq nga PPP-ja me Fushën.
Sidoqoftë qeveria nuk u tërhoq nga shembja e teatrit, që u realizua tre muaj më vonë me qindra forca policie, në mes të krizës së pandemisë së COVID-19.
Aksioni u shoqërua me dhunë policore, gaz lotsjellës dhe arrestime të shumta ndaj artistëve dhe qytetarëve që kundërshtonin prej dy vitesh.
Në dhjetor 2022 , u vendos që Teatri do ndërtohej me paratë e taksapaguesve, ndërsa Shkëlqim Fusha e përfitoi gjithsesi lejen për ndërtimin e një kullë33 katëshe përkrah.
Në hetimet paraprake të SPAK ndaj Veliajt, sipërmarrësi Fusha rezulton si një nga gjashtë biznesmenët e dyshuar se korruptuan kryebashkiakun duke “sponsorizuar” OFJ-të e bashkëshortes Ajola Xoxa.
Kjo përforcon idenë se për çështjen e teatrit interesi për të mirën publike nuk ishte asnjëherë në rend të parë për Veliajn.
Kontrata për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës shënon një nga aferat më të rënda financiare të viteve të fundit. Projekti, i cili u paraqit si zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve, rezultoi një skemë mashtrimi që zhvati dhjetëra milionë euro para publike.
Edhe pse impianti i incenerimit nuk u ndërtua kurrë, qytetarët u detyruan të paguajnë për një shërbim që nuk ekziston.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar lidhjet e fshehta financiare dhe pronësore, duke vënë në shënjestër zotëruesit fundor pas koncesionarit “offshore”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët mbeten në kërkim.
Veliaj, e nisi mandatin e parë si kryetar i bashkisë Tiranë duke promovuar riciklimin dhe ndarjen e mbetjeve në burim.
Më herët kur ishte aktivist i “Mjaft” në fillim vitet 2000, protestonte zellshëm kundër një impianti djegës në Sharrë.
Por rezulton se në vitin 2016 ishte ai që rekomandoi dhënien me koncesion të landfillit të Sharrës dhe në shkelje të kompetencave garantoi financimin për të gjitha bashkitë e qarkut.
Rreth një dekadë më vonë landfilli i Sharrës nuk ka ende incenerator megjithëse me tarifat e shtuara të pastrimit Tirana ka paguar mbi 70 milionë euro vetëm për trajtimin e mbetjeve me një proces të tillë që nuk ndodh.
Për më tepër Veliaj “e ka harruar” riciklimin dhe ndarjen në burim. Për njëfarë kohë administrata e tij përndoqi edhe mbledhësit e mbeturinave.
Por, si për të treguar gjendjen reale, verën e vitit 2024 kryeqyteti u përfshi në një krizë menaxhimi të mbetjeve, të cilën bashkia u përpoq ta fshehë.
Krahas dyshes Zoto-Mërtiri, SPAK ka akuzuar për këtë çështje edhe 13 zyrtarë, mes së cilëve ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin e PS, Alqi Bllako dhe ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha.
Pavarësisht kësaj, Veliaj arriti t’i shpëtojë hetimeve.
Çështja e njohur si “5D” është një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në administratën e Bashkisë Tiranë. Disa ish-drejtorë akuzohen se ushqyen me tendera publik një kompani pas së cilës ishin vetë pronarë të fshehtë.
Redi Molla dhe Mariglen Qato, me karrierë të gjatë drejtuese në disa departamente të bashkisë, dyshohet se e krijuan kompaninë “5D Konstruksion” në vitin 2016 përmes njerëzve të afërt.
Deri në vitin 2022, “5D Konstruksion” do të shpallej fituese në të paktën 32 tenderë publikë me rreth 30 milionë euro vlerë totale investimi. SPAK ka gjetur shkelje në thuajse gjysmën e këtyre tenderëve.
Hetimet treguan se 11 tenderë u dhanë nga drejtoritë ku Molla e Qato ishin drejtues apo kishin ndikim në komisionet e vlerësimit të ofertave përmes zyrtarëve të tjerë të bashkisë Tiranë si Taulant Tusha, Eglantina Zere dhe Enton Punavija.
Nga tenderët me “5D”-në, Molla kishte kaluar investitor strategjik në të paktën një hotel me 5 yje në Durrës, në ortakëri me një tjetër ish-drejtor të bashkisë si Elvin Tivari.
Në dhjetor 2024, SPAK përfundoi hetimet dhe i dërgoi në gjyq duke i akuzuar për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Veliaj si drejtues i Bashkisë Tiranë u përball publikisht me këtë çështje gjatë fushatës elektorale të vitit 2023. Por ai mohoi ekzistencën e kësaj skeme korruptive.
Një vit më vonë, kur SPAK konkretizoi arrestimet e pesë ish-drejtorëve ai largoi përgjegjësinë nga vetja edhe pse në të implikoheshin të paktën dy prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij në fushata elektorale si Qato dhe Tusha.
Ky skandal ka dëmtuar thellë besimin e publikut në transparencën e prokurimeve publike dhe në integritetin e Bashkisë Tiranë.
Në mandatin e parë si kryebashkiak, Veliaj u shqua për përndjekjen e të pastrehëve, lypësve dhe shitësve ambulantë.
Administrata e tij vendosi mijëra gjoba me synimin për të arritur vizionin estetik të kryetarit për trotuare të lira nga produktet e fshatit dhe fatkeqët që kërkonin lëmoshë.
Nga viti 2018 deri në 2021, bashkia vuri mbi 4,300 gjoba, me një vlerë totale mbi 42 milionë lekë.
Policia bashkiake intensifikoi kontrollet edhe në rrugicat periferike, duke larguar dhe ndëshkuar qindra shitës ambulantë. Shpesh aksionet përshkallëzonin në veprime arbitrare të policëve të cilët u konfiskonin mallrat shitësve.
Kjo qasje hasi kritika të forta nga shoqëria civile pasi shtrëngonte edhe më shumë mënyrën e jetesës së qindra familjeve të cilat vareshin nga tregtia informale.
Aktivistë e kanë krahasuar këtë trajtim me persekutimet e së shkuarës, duke theksuar mungesën e alternativave për punësim dhe mbështetje sociale nga ana e bashkisë.
Në mandatin e parë Veliaj premtoi furnizim me 24 orë ujë të pijshëm të kryeqytetit dhe dhënies fund të shkollave me turne. Për këtë ai justifikoi rritjen e çmimit të ujit dhe vendosjen e një takse për infrastrukturën shkollore.
Megjithatë, shumica e zonave në Tiranë nuk kanë ende furnizim pa ndërprerje, disa vuajnë edhe mungesë uji gjatë verës. Për më tepër uji nuk është i pijshëm dhe shumica e qytetarëve e blejnë.
Veliaj dhe UKT është justifikuar duke thënë se problem për këtë pjesë janë papastërtitë e depozitave, ndërkohë vetë bashkia nuk e konsumon ujin e çezmës pasi për administratën vijon tenderët për ujë të ambalazhuar.
Ngjashëm, pa ndryshime domethënëse, paraqitet situata edhe me shkollat.
Veliaj e ka portretizuar veten si kryebashkiaku që ka ndërtuar dhjetëra shkolla e qindra kopshte e çerdhe, por në dhjetë vite ai nuk i dha dot zgjidhje mësimit me turne.
Prej vitit 2016 familjet dhe bizneset e Tiranës paguan rreth 60 milionë euro taksë për infrastrukturën arsimore. Pavarësisht kësaj, bashkia i ka varur shpresat më së shumti te fondet e BE-së, fondet e rindërtimit, apo donacionet e shteteve të tjera.
Mësimi me turne mbetet epokë që nuk mbaron pasi 30 shkolla vijojnë të njëjtën praktikë.
Në tre mandate, Veliaj është njohur për marrëdhënie të keqe me median dhe gazetarët. Ai është kritikuar në raportet ndërkombëtare, por dhe nga organizatat e tjera mediatike për gjuhë intimiduese dhe kërcënuese.
Përpos sulmeve të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve, qasja e tij ndaj mediat ka qenë uzurpuese dhe bashkia Tiranë është ndër institucionet më të mbyllura për shtypin.
Në tre mandate, Veliaj nuk ka bërë asnjë komunikim për shtyp, e para herë që ai foli para gazetarëve ishte kur u thirr në SPAK. Por nga ana tjetër ai ka një prezencë të lartë në media përmes materialeve që prodhon zyra e tij për shtyp.
Bashkia Tiranë është e njohur për kasteta e gatshme. Një studim i Citizens për lajmin lokal nxori në pah se Tirana është një qytet i fabrikuar. Shumë prej materialeve të transmetuara në televizione, të marra në studim, kishin të njëjtat pamje, të njëjtët tituj dhe të njëjtin tekst.
Në 2016 një ekip gazetarësh investigativ zbuluan fshehjen e aksidentit të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, ku ishte i përfshirë Veliaj, një emër që do ta shoqëronte atë për vite me radhë.
Gazetarja Alida Tota që punoi mbi dokumentarin u pushua nga A1 TV dhe akuzoi se Veliaj kishte ndërhyrë për pushimin e saj.
Të njëjtin fat pati edhe gazetari Artan Rama, asokohe drejtuesi i emisionit Publicus në Vizion Plus. Ai punoi mbi të njëjtën ngjarje dhe bëri me dije se televizioni ia bllokoi transmetimin.
Veliaj kërcënoi drejtuesit e dy faqeve online Lolita dhe JOQ. Në një dalje për mediat, ai publikoi emrat dhe informacione private për dy persona që sipas tij janë drejtuesit e tyre.
Emri i kryebashkiakut u përmend edhe në rastin e Agon Channel. Në vitin 2014 ky televizion vuri në dyshim për abuzime dasmën e Veliajt në kalanë e Gjirokastrës. Asokohe ai ishte ministër i Mirëqenies Sociale dhe u ngritën pretendime për kërcënime ndaj gazetares Sonila Meço.
Një tjetër tentativë censure ishte rasti i gazetares Beti Njuma, e cila raportonte për Teatrin Kombëtar. Veliaj i kërkoi me mesazhe private pronarit të Ora News që ta ndalonte gazetaren në raportimin e çështjes.
Dy gazetarët e Ora News Isa Myzyraj dhe Ronaldo Sharka u kërcënuan dhe sulmuan fizikisht nga shoqëruesit e Veliajt teksa tentonin të merrnin komente prej tij.
Në vitin 2023 Veliaj sulmoi drejtpërdrejt gazetarën Ola Xama pas një investigimi që kishte bërë për çështjen e inceneratorit të Tiranës ku tregonte dhe përfshirjen e tij. Kryebashkiaku përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese duke e etiketuar Xamën “vrasëse me pagesë”.
Tirana sot është një qytet në krizë dhe kriza nuk është vetëm urbane apo ekologjike, por edhe morale dhe institucionale.
Kryeqyteti vuan për kujtesën duke pasur 36 monumente kulture më pak, të cilat në të shumtën e rasteve u zunë nga kulla.
“Zero beton” ishte premtimi i Veliajt në fushatën e parë për kryebashkiak, por Tirana u kthye në kryeqytetin e ndërtimit. Në mandatin e dytë u arrit mesatarja një leje çdo 42 orë.
SPAK ka ngritur dyshimet se Veliaj dyshohet se përfitoi para nga gjashtë sipërmarrës në këmbim të lejeve.
Arrestimi i tij nuk është një akt i izoluar, por një reflektim i një sistemi që ka lejuar pandëshkueshmërinë.
Për vite, korrupsioni dhe klientelizmi e kanë mbajtur peng zhvillimin e Tiranës, duke e transformuar në një hapësirë të zymtë ku përveç aspektit urban, është vrarë meritokracia dhe shpresa për një të ardhme më të mirë./Citizens.al