zoom

Slider

Tirana shkatërron Dinamon, hakmerret për kupen

Tirana “hakmerret” me goleadë ndaj Dinamos për humbjen në kupë, duke fituar 4-0 në “Air Albania” dhe duke marshuar në krye në kampionat. Bardheblutë tregojnë se humbja e mesjavës ishte thjesht një aksident. Starti i takimit foli për Dinamon, që kërkoi të befasoi sërish Tiranës, por më pas ndeshja ekuilibrohet. Për të ardhur në fundin e pjesës së parë, kur zhbllokohet ndeshja. Pas një aksioni personal të Seferit, bardheblutë kalojnë në avantazh me një autogol të Sidibe. Sulmuesi i Tiranës bëri gjithçka vetë, duke detyruar Sidiben të shkaktojë autogol. Dominimi bardheblu vjen edhe në pjesën e dytë. Në 56’, Xhixha përfiton nga një gabim i Sidibes për të çuar topin në rrjetë me një goditje mjaft të bukur me trinën e këmbës. Pesë minuta më pas, Tirana shënon edhe golin e tretë. Është sërish Xhixha që shkëputet bukur mes mbrojtësve, duke dalë para portierit Bakaj, për ta mposhtur atë. Pas 3 minutave konsultim me VAR, gjyqtari Kreshnik Cjapi e akordon si të rregullt golin. Nuk do të mbyllej këtu, pasi Tirana shënon edhe golin e katërt në minutën e 82-të. Kësaj here është Hoti që shënon, duke kapitulluar Dinamon. Tirana merr fitoren e pestë radhazi, duke u shkëputur në krye.