Aplikacion
Një përballje që vlen shumë sa i përket fateve të të dyja skuadrave, ku një fije i ndan mes suksesit dhe dështimit. Tirana kërkon të ruajë distancën për të qenë e qetë drejt suksesit të 29-të, ndërsa kurbinasit kërkojnë të hapin kampionatin.
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka folur në prag të kësaj ndeshje duke thënë se kundërshtari meriton respekt për vendin ku ndodhet në klasifikim, por u tregua i qartë në qëllimin e tij për të kërkuar tre pikët.
“Në kampionat ka sfida të veçanta, nesër do të jetë ndeshja e rradhës përballë kundërshtarit më të afërt në klasifikim. Përballje të tilla kanë brenda emocionin dhe përqëndrimin. . Presioni i rezultatit është i pranishëm në çdo ndeshje, pavarësisht renditjes në të cilën ndodhet kundërshtari.
Laçi meriton respekt dhe është ndeshje shumë e rëndësishme. Për mua nuk është vendimtare dhe këtë e tregon dhe renditja. Në përballjet direkte kemi fituar 2-0 dhe jemi mposhtur në minutat e fundit në Laç. Në kampionat mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të humbasësh ndaj kujtdo. Këto diferenca në kampionatin tonë janë shumë të pakta.
Ndeshja që pres është “e sertë”, që do të jetë e luftuar dhe e vështirë në çdo sektor të fushës me dyluftime individuale dhe kolektive. Kush do të bëjë më mirë do të marrë maksimumin. Këtë ndeshje na pret një tjetër panoramë e asaj që ndodhi në Laç”, tha Shehi për mediat.
Një tjetër sfidë e rëndësishme këtë fundjavë është ajo mes Kukësit dhe Teutës në të njëjtin orar. Verilindorët kërkojnë të ruajnë distancën me vendet e para dhe të shkëputet nga Vllaznia, ndërsa Teuta synon të vazhdoj ecurinë pozitive pas fitores së fundit të marrë ndaj Dinamos./ E.S