Aplikacion
Në tridhjetë vitet e fundit Tirana është shënuar nga transformime të vazhdueshme dhe ‘gjykimet’ luhaten nga njëri ekstrem në tjetrin, në varësi të bashkëbiseduesit tuaj. Shumë aktivistë dhe vendas thonë se qyteti ka humbur shpirtin, hapësirat e tij të çmuara të gjelbërta dhe identitetin e tij. Nga ana tjetër, zyrtarët e bashkisë do të përgjigjen se Tirana është një vend për të rinjtë, një vend ku zgjedhjet e administratës frymëzohen nga respekti për mjedisin.
Çmime të larta
Për të marrë një ide, duhet të ecni në rrugë. Vendet e ndërtimit janë në rritje dhe, mes godinave të epokës komuniste, ndërtesave me ngjyra të ndezura dhe disa ndërtesave historike ende në këmbë, betoni është i gjithëpranishëm dhe po zgjerohet. Rrokaqiej të mëdhenj janë ndërtuar në qendër dhe vinçat dominojnë peizazhin.
Llogaritë e bëra në qytet në periudhën midis qershorit dhe korrikut 2021 treguan të paktën 414 kantiere aktive ndërtimi, ndërsa 201 leje ndërtimi u dhanë në vitin 2020, një në çdo 48 orë. Në tremujorin e parë të 2021, lejet e ndërtimit u miratuan për një me vlerë rreth 127 milionë dollarë, thuajse dyfish në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Progresi është i nevojshëm, si dhe investime në infrastrukturë, banesa, zyra dhe zona komerciale. Por cili është çmimi i gjithë kësaj?
Në kryeqytet çmimet janë rritur ndjeshëm, duke nxitur shumë banorë të shpërngulen diku tjetër. Nëse deri katër vite më parë një apartament me dy dhoma gjumi në qendër kushtonte rreth treqind euro në muaj, sot shkon mbi pesëqind euro. I njëjti problem lind për ata që duan të blejnë një pronë. Për ndërtesat e reja në qendër çmimet luhaten rreth katër mijë euro për metër katror, ndërsa në zonat periferike zbresin në rreth 800 euro. Çmimi mesatar është 1102 euro për metër katror, shifër shumë e lartë po të kemi parasysh pagën mesatare. Sot tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë është një nga më të shtrenjtët në Europë dhe po i afrohen atyre të Brukselit dhe Romës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet në sektor janë rritur me 43 për qind që nga viti 2014. Kjo rritje e pandalshme e çmimeve nuk korrespondon me një rritje të pagave, të cilat mbeten të pandryshuara, madje as me investime të mëdha nga jashtë. Ekspertët thonë se Shqipëria ka të ngjarë të përballet me një recesion ekonomik kur e ashtuquajtura flluskë e banesave të shpërthejë, duke shkaktuar rënien e çmimeve të pronave që mund të humbasin 50 për qind në vlerë gjatë viteve të ardhshme.
Një lumë parash
Vlerësohet se në Shqipëri hyjnë deri në 700 milionë euro në vit fonde të paligjshme, kryesisht nga aktiviteti kriminal, korrupsioni dhe mashtrimet tatimore. Në tre vitet e fundit, sektori shqiptar i ndërtimit ka bërë të mundur riciklimin e rreth 1.6 miliardë eurove.
Në vitin 2021, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (Gitoc) tregoi se një nga mënyrat më të njohura për të pastruar paratë është duke investuar në ndërtim.
“Fillon me financimin e ndërtesave të reja rezidenciale ose tregtare, vazhdon duke rregulluar kostot e punës dhe vazhdon deri në shitjen e produktit final”, thuhet në raport.
Sipas Gitoc-it, bashkitë shpeshherë nuk kryejnë asnjë kontroll pasi kanë lëshuar lejet e ndërtimit. Në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, sektori i ndërtimit u stimulua nga investimet e emigrantëve (legjitimiteti i të cilave, megjithatë, nuk është e mundur të vertetohet). Në vitin 2012 pati një rënie të lehtë për shkak të recesionit global, por pësoi një rritje të mprehtë në vitin 2016, të cilën ekspertët ia atribuan “investimeve të paligjshme me origjinë kriminale”.
Raporti i Gitoc tregon se 59 përqind e 141 kompanive që morën leje për të ndërtuar ndërtesa shumëkatëshe midis 2017 dhe 2019 nuk kishin burime për t’i përfunduar ato.
Duke gjykuar nga llogaritë e tyre, këto kompani nuk kishin të ardhura të konsiderueshme, asete apo kredi që mund të përdoreshin për financimin e projekteve.
Gitoc vlerëson se 60 për qind e parave kanë ardhur nga burime të paligjshme. Raporti argumenton se, edhe duke marrë parasysh vlerën e hipotekave të kontraktuara nga kompanitë, një diferencë prej rreth 600 milionë euro mbetet vetëm në vitin 2019. Sipas një eksperti shqiptar për këtë temë, i cili ka preferuar të mbetet anonim, përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme ndërmjet viteve 2016 dhe 2019 mund të jenë pastruar më shumë se një miliardë e gjysmë euro. Për të marrë lejet e nevojshme, personat shoqërohen me politikanë dhe zyrtarë publikë. Në janar 2021, arrestimi i anëtarëve të ‘Ndrangheta’ në Itali nxori në pah lidhjet me sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Bisedat e përgjuara treguan përfshirjen e një biznesmeni shqiptar, që dyshohet se ka lidhje me kryeministrin dhe kryebashkiakun e Tiranës. Telefonatat kishin të bënin me investime, kantiere dhe projekte për qendrën e kryeqytetit, si dhe çmime të fryra të pasurive të paluajtshme. Në një regjistrim dëgjojmë se çmimet për metër katror variojnë nga 3800 deri në 4000 euro, ndërsa vlera reale do të ishte 510 euro.
Vitet e fundit, shoqëria civile është përpjekur të kundërshtojë shkatërrimin e monumenteve historike, por përpjekjet nuk kanë qenë efektive.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se ky hetim është porositur nga partitë opozitare për të manipuluar opinionin publik në prag të zgjedhjeve legjislative të vitit 2021. Veliaj mohoi që ndonjë leje të ishte dhënë nën presionin e grupeve kriminale apo grupeve të lidhura me veprimtari të paligjshme.
Në shkurt 2021, prokurori i posaçëm antikorrupsion hapi një hetim paraprak, për të cilin ende nuk ka asnjë lajm. Pak muaj më vonë Njësia Italiane e Inteligjencës Financiare deklaroi se në gjysmën e parë të 2020 Shqipëria kishte qenë destinacioni më i kërkuar për “transaksionet e dyshimta” Itali-Shqipëri dhe ia kaloi Marokut, Rumanisë dhe Senegalit, me pothuajse gjysmën e raporteve për aktivitete të dyshimta në atë periudhë.
Moneyval, organi i Këshillit të Europës që mbikëqyr luftën kundër pastrimit të parave i ka cilësuar si të parëndësishme masat e marra nga autoritetet shqiptare. Është bërë përparim, por mbeten pengesa të ndryshme, duke përfshirë mungesën e dënimeve dhe sanksioneve.
Departamenti Amerikan i Shtetit arriti në konkluzione të ngjashme në raportin e tij për trafikun ndërkombëtar të drogës, duke theksuar se në vitin 2020 Shqipëria ishte një “destinacion kryesor për pastrimin e parave. Sipas dokumentit, qeveria shqiptare” nuk ka bërë asnjë përparim domethënës në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar.
Kështu, ndërkohë që shqiptarët shpërngulen jashtë qytetit, vijon avancimi i ekskavatorëve, vinçave dhe betoniereve. Ata që kanë mbetur janë dëshmitarë të shkatërrimit të monumenteve historike, parqeve dhe hapësirave të hapura, pa mundur të bëjnë asgjë për ta ndaluar atë.
Vitet e fundit, shoqëria civile është përpjekur ta kundërshtojë por kanë dështuar. Mobilizimi për të parandaluar shembjen e Teatrit Kombëtar, i cili vazhdoi për dy vjet, përfundoi kur forcat speciale nxorën një aktivist nga godina në orën tre të mëngjesit dhe vinçat hynë në funksion ndërsa persona të tjerë ishin ende brenda.
Një fat të ngjashëm kishin edhe ata që kishin protestuar kundër shkatërrimit të shtëpive të tyre për t’u lënë vend ndërtesave të reja.
Shoqëria civile vazhdon të kundërshtojë ndryshimet që po ndodhin në Tiranë, por po humb besimin te drejtësia. Shpesh nuk ka kohë për të ndaluar vinçat duke ndërmarrë veprime ligjore, pasi gjykatat janë të bllokuara me dhjetëra mijëra çështje të prapambetura./internazionale