zoom

Futboll vendi

Tirana në sprintin final për të 26-tin: kalendari dhe përballjet direkte

Tirana marshon drejt titullit të 26-të, pas fitores bindëse dhe me përmbysje ndaj një kundërshtari të fortë si Vllaznia. Një rikthim i çmendur në stadiumin “Loro Boriçi” me protagonist Ëngjëll Hotin që shënoi golin e dytë dhe të suksesit bardheblu në garën për të arritur objektivin sezonal.

Nëse i referohemi statistikave dhe formës që po kalon skuadra, mund t’i japim të drejtë pretendimeve të tifozëve për ta parë klubin të ngrejë lart trofeun aq të lakmuar në Shqipëri. Janë të parët në renditjen e klasifikimit, me golavarazh shumë herë më të favorshëm se rivalët e tjerë dhe ia kanë dalë të marrin pikë në përballjet direkte me ta.

Tirana e Shehit është bindëse, konkurruese, përcjell frikë tek kundërshtarët sa i përket fantazisë në krijimin e rasteve, di si të befasojë kur kundërshtari është i pambuluar në vijën e mbrojtjes dhe ka cilësinë në çdo repart të fushës. Që tek porta e blinduar e deri tek sulmuesit që janë mace e zezë për çdo skuadër.

Portieri i Tiranës, Visar Bekaj

Visar Bekaj është muri i portës bardheblu. Ka pësuar vetëm 17 gola, numri më i vogël në krahasim me portierët e tjerë të Superiores. I pakalueshëm, i saktë dhe shumë i përqëndruar sa herë duhet ndërhyrja e tij për të mbajtur të paprekur portën e tij. Ai është aty, në rast se mbrojtja nuk ia del, edhe nëse shokët e skuadrës përpara tij gabojnë raste flagrante dhe rrezikojnë pësimin e një goli.

Prej dy vitesh, gardiani kosovar është një pikë e rëndësishme e klubit, veçanërisht për trajnerin Shehi në këtë periudhë kulminante të sezonit. Në duart e Visarit ka siguri dhe garanci, ndërsa në këmbët e tij ka saktësi dhe vertikalizim në qarkullimin e topit tek mbrojtësit anësorë.

Mbrojtja. Le ta quajmë katërshja fantastike e bardhebluve. Ismajlgeci me Hoxhallarin në krah dhe Behiratche me Najdovskin në qendër. Të parët janë të kudondodhur në sferën e sulmit, krijojnë raste, madje janë të aftë edhe të shënojnë nëse u kërkohet. Në anën tjetër, qendra e mbrojtjes është një “zonë e ndaluar”, një fortesë e pakalueshme, sa fizike po aq dhe kualitive në përgatitjen për t’i mbajtur sulmuesit larg portës, madje duke qëndruar si shkëmb për t’ua pamundësuar lëvizjen e lirë drejt portës së Bekaj.

Taulant Seferi duke festuar me shokët e tij të skuadrës, mesfushorët Vesel Limaj dhe Ennur Totre.

Mesfusha. Ennur Totre, Ëngjëll Hoti, Vesel Limaj dhe Albo Gjumsi. Nëse Tirana sot nuk e vuan mungesën e golave dhe fantazisë në krijimin e rasteve kjo është falë futbollistëve që ndërtojnë në mesfushë, ata që i japin oksigjen shokëve të skuadrës në sulm. Vesel Limaj është një ndër elementët më të çmuar të Shehit. Fantazist, shënues dhe i aftë të mbulojë dhe repartin e mbrojtjes në bllokimin e aksioneve në rast nevoje.

Qëndrimi i tij në fushë dhe agresiviteti në vertikalizim të kujton Bathën, golashënuesin e klubit bardheblu në kohën e ish trajnerit Egbo. Batha u largua, por vendin e tij e ka marrë Limaj, një futbollist i ri në moshë dhe me potencial që premton për të ardhmen.

Totre, Hoti dhe Gjumsi janë gjithashtu të rëndësishëm në skemat e teknikut. Janë të familjes bardheblu dhe e njohin këtë ambjent. Ata kanë mundësi të shprehin potencialin e tyre në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit dhe një kontribut i tyre do të vlente vërtetë shumë për ambicien e klubit drejt titullit të rradhës, atë me numër 26-të.

Sulmi. Makineria e golave, ose fuqia “pjellore” e Tiranës. Janë të pandalshëm, të përgatitur dhe në gjendje për të shënuar në çdo pozicion të mundshëm. Prania e tyre në fushë i jep qetësi Orges Shehit, ndërsa në anën tjejtër u ngjall presion rivalëve. Mjafton një gabim i mbrojtësve kundërshtarë që ata të shfrytëzojnë dhe të finalizojnë siç dinë të bëjnë më mirë.

Xhixha është një lojtar “jetik” për bardheblutë, ashtu sikurse Seferi, i cili pas vështirësive në ambjentim ka gjetur golin dhe nuk di të ndalet. Janë kombinim i perfeksionit dhe një dyshe që rrallë herë fal në metrat e fundit të aksionit. Plot 47 gola të shënuar deri në javën 25-të të kampionatit, ku Seferi kryeson listën me 14 finalizime, ndërsa Xhixha renditet i treti me 11 sosh. 25 gola së bashku nga 47 gjithësej, thuajse gjysma e golave mbajnë firmën e tyre.

Redon Xhixha dhe Taulant Seferi duke festuar golin me Ennur Totre dhe Ëngëll Hotin.

Përballjet direkte.

Laçi. Tirana ka dy fitore dhe një humbje. Mbetet për tu zhvilluar dhe ndeshja tjetër.

Kukësi. Janë dy fitore, një për verilindorët dhe një për bardheblutë. Mbeten dy ndeshje për tu zhvilluar.

Vllaznia. Skuadra e Shehit kryeson me dy fitore, ndërsa një takim është mbyllur në barazim. Mbetet një ndeshje për tu zhvilluar.

Partizani. Në derbin e kryeqytetit, Tirana gëzon një bilanc vërtetë pozitiv. Dy fitore për bardheblutë dhe një sfidë e mbyllur në barazim. Mbetet për tu përcaktuar rezultati i ndeshjes tjetër.

Kalendari i Tiranës deri në fund të kampionatit.

Një maratonë interesante e pret Tiranën në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit për të arritur objektivin e saj sezonal.

Një miksim skuadrash të atyre që janë në vendet e para, atyre në mesin e tabelës dhe ato në fund të tabelës.

Kalendari i Tiranës deri në fund të sezonit.

 

/zoom.al