zoom

Aktualitet

Tirana në kaos! Të gjitha rrugët e bllokuara, policia inekzistente e me metoda të vjetra

Hapja e Unazës së Madhe të Tiranës, në të gjithë gjatësinë e saj, nuk e ndryshoi situatën kaotike me trafikun në rrugët e kryeqytetit. Të gjithë ata që shkojnë në punë çdo mëngjes, ata të cilëve u duhet të lëvizin gjatë ditës, apo ata që kthehen në shtëpi në orët e pasdites, harxhojnë mbi 1 orë për të përshkuar distanca që nuk i kalojnë 5 kilometrat.

Shikojini rrugët e Tiranës në hartën më poshtë. Ato me të kuqe tregojnë se makinat mezi lëvizin ose nuk lëvizin fare.Në momentin që po shkruhet ky artikull është thuajse e pamundur të lëvizësh në të dyja krahët në Rrugën e Kavajës.

Në rrugën e Durrësit është kaos. Në Bulevardin Bajram Curri trafiku është gati 1 kilometër. Në rrugën Sulejman Delvina, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” është kaos. E po ashtu parnë Shkollës së Baletit, në rrugën e Elbasanit, në bulevadin Zhan D’Ark, në rrugën Hoxha Tahsim, në rrugën e Dibrës, në rrugën e Barrikadave, në bulevadin Zogu i Parë, në rrugën Reshit Petrela në unazë, në Don Bosko, te Muhamet Gjollesha, në Laprakë, në bulevardin Bajram Curri, në rrugën e Porcelanit, atë të Kinostudios, në rrugën e Kombinatit, brenda Unazës së Vogël, te Banka e Shqipërisë, te Toptani, te 9 Katëshet, te Myslym Shyri.

Është aq kaotik trafiku në Tiranë saqë të lëvizësh me makinë është një makth, aq më tepër kur transporti publik në kryeqytet është në kushte skandaloze, si përsa u përket mjeteve ashtu edhe për vonesat.

Rrugët e kryeqytetit janë bërë “ferri”vetë për të gjithë qytetarët e tij. Për t’i dhënë zgjidhje drejtuesit e policisë menduan të zëvendësojnë shefat. Por ardhja e të rinjve në drejtimin e Policisë së Tiranës dhe të Komisariatit të Policisë Rrugore, jo vetëm që nuk i ka dhënë zgjidhje trafikut, por e ka çorientuar atë duke e futur në një prej periudhave më të këqija që do të mbahet mend gjatë.

Policët rrugorë duket se më shumë i ngatërrojnë drejtuesit e mjeteve sesa u japin zgjidhje; aty ku janë, sepse në të shumtën e kohës janë inekzistentë. Me ndërrimin e drejtuesve ata u janë kthyer pjesës që dinë të bëjnë më mirë – të nxjerrin blloqet e t’i mbushin me gjoba, duke harruar që detyra parësore e tyre është të gjejnë zgjidhje e lehtësi për qytetarët përpara se t’i ndëshkojnë.

Mendësia e ndëshkimit u harrua për disa kohë në kryeqytet, por tani rrugorët i janë rikthyer zanatit të vjetër, duke pasqyruar ndoshta mendësinë e kupolës që ka ardhur në Tiranë. /Zoom.al

Postime të lidhura