Aplikacion
Kandidati i pavarur, goxha i panjohur, Calin Georgescu, arriti fitore tronditëse në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor, duke i marrë rreth 23 për qind të votave.
Ai pritej të përballej me kandidaten proevropiane, Elena Lasconi, në balotazhin e 8 dhjetorit.
Megjithatë, pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Rumanisë e publikoi dokumentet e klasifikuara, që drejtuan gishtin kah “një aktor shtetëror”, që s’u emërua por dukej të ishte Rusia, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e shfuqizoi rundin e parë dhe urdhëroi që zgjedhjet të mbahen përsëri nga fillimi në muajt në vijim.
Mandati i presidentit në detyrë, Klaus Iohannis, është zgjatur përkatësisht, megjithëse mandati i tij i dytë pesëvjeçar përfundoi këtë muaj.
“Duke ndjekur indikacione serioze se aktorë të huaj ndërhynë në zgjedhjet presidenciale rumune përmes TikTok-ut, ne tani po hetojmë në mënyrë të hollësishme nëse TikTok-u ka shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale duke dështuar t’i trajtojë këto rreziqe”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 17 dhjetor.
Ajo tha se komisioni do ta vazhdojë mbledhjen e provave, “për shembull, duke dërguar kërkesa të mëtejshme për informacion, duke kryer veprime monitoruese, intervista, inspektime dhe duke kërkuar qasje në algoritmet”.
Ndërkohë, BE-ja e urdhëroi më 5 dhjetor TikTok-un t’i ngrijë dhe ruajë të dhëna e lidhura me “rreziqe sistematike aktuale, ose të parashikueshme”, që kanë të bëjnë me zgjedhjet kombëtare në bllokun me 27 anëtarë, nga 24 nëntori deri në mars të vitit të ardhshëm.
TikTok-u tani duhet të sigurojë të dhëna dhe dokumente të mbajtura sipas urdhrit të 5 dhjetorit, tha von der Leyen.
Veprimi i BE-së pason një deklaratë të një grupi senatorësh të lartë amerikanë që dënuan ndikimin e dyshuar rus në zgjedhjet rumune.