zoom

Aktualitet

Thellohet skandali me mandarinat shqiptare, tjetër rast me pesticide. Qeveria: Mund t’i konsumoni

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e klorpirifosit në mandarina, sistemi alert i BE-së për sigurinë ushqimore RASFF ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide në mandarina nga Shqipëria.

Në njoftim shkruhet se mandarinat kanë pesticide që janë ‘potencialisht serioze’, në lidhje me ndikimin që kanë në popullatë dhe mjedis.

Eksperti Ervin Resuli e sheh këtë situatë si këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore.

Por, nga ana tjetër, vetë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural nxit konsumimin e produkteve shqiptare.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim”, e fillon njoftimin Ministria.

Edhe pse alarmi është dhënë nga sistemi i BE për sigurinë ushqimore, Ministria e quan këtë ngjarje si një ‘debat mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare”.

Ministria e Bujqësisë tregon se për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, “nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori”, thotë Ministria e Bujqësisë.

Për 3 rastet e para, AKU ka marrë masa për gjurmueshmërinë dhe veprimet proceduriale mbi subjektet eksportues duke asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë.

Ndërkohë, asgjësimi i mandarinave nga Konispoli është bërë nga vetë fermeri. Më herët, Resuli është shprehur se në raste të tilla, askush nuk të siguron nëse vërtetë është asgjësuar prodhimi.

Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, thotë Ministria e Bujqësisë, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti.

Eksperti Resuli hedh edhe dyshime për vonesën e analizave nga ana e Ministrisë.

“Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve”, thotë Resuli.

Postime të lidhura