Pas skandalit me “patronazhistët”, mediat sot kanë publikuar një tjetër skandal që ka të bëj sërish me të dhënat personale. Bëhet fjalë për një databazë me të dhënat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, pozicionin e tyre të punës, numri i ID-së, i NIPT-it dhe paga bruto e deklaruar. Në total mësohet se në listë janë emrat e 637.138 tatim-paguesve.
Duke marrë shkas nga ky skandal, prokuroria njoftoi sot se po verifikon burimin e listës.
Redaksia e zoom.al për momentin nuk mund të konfirmojë nëse kjo data-bazë është e vërtetë apo jo pasi të gjitha institucionet përkatëse të cilat kemi kontaktuar nuk kanë marrë përsipër që të përgjigjen.