Aplikacion
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka vënë në dyshim të ardhmen e vendit të tij në Bashkimin Evropian duke sugjeruar se në vend të kësaj mund t’i bashkohet BRICS, bllokut ekonomik global, e cila këtë javë pati një takim të rëndësishëm në Rusi.
Sipas “The Times”, Beogradi ka kryer prej kohësh një akt balancues Lindje-Perëndim, por me luftën në Ukrainë që detyron botën të mbajë anë, peshorja po anon gjithnjë e më shumë drejt Kremlinit.
Problematika që po haset në Serbi ka të bëjë me persekutimin që autoritetet serbe bëjnë ndaj disidentëve rusë dhe bjellorusë, të cilët gjenden të strehuar brenda Serbisë.
Disa nga këta persona i kanë thënë “The Times” se autoritetet serbe kanë filluar një goditje kundër tyre me urdhër të Kremlinit, ndërsa një deputet i opozitës ka akuzuar Aleksandër Vulin, zëvendëskryeministrin, se ka ndikuar për të nxjerrë një aleat të Putinit nga paraburgimi Italian, duke e dërguar atë për në Moskë me një fluturim çarter nga Beogradi.
Serbia ka refuzuar gjithashtu t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Një tjetër pikë kthese për “The Times”, është biseda që Aleksandër Vuçiç zhvilloi me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, për herë të parë në dy vjet e gjysmë, duke e falënderuar për gazin rus dhe duke festuar miqësinë e ngushtë të vendeve.
Vuçiç shpesh herë proklamon simpatinë që ka populli serb për atë rus dhe për organizimin e BRICS.
“Kur njerëzit të votojnë për një president të ri në dy vjet e gjysmë, kjo do të bëhet një nga temat kryesore. Kush e di, ndoshta do të bëhet edhe një pikë për një referendum”, tha Aleksandër Vuçiç.
Disidentët rus të strehuar në Serbi theksojnë për “The Times”, se autoritetet serbe monitorojnë qartë aktivitetet publike të njerëzve dhe mbajnë një listë të ‘të padëshiruarve’.
Elena Koposova, nënë e dy fëmijëve, e cila jeton në Serbi për pesë vjet, u urdhërua të largohej pasi nënshkroi apelin kundër luftës. Muajin e kaluar Anton Bobryshev u urdhërua të largohej pasi organizoi një tubim të vogël për nder të ish-figurës së opozitës ruse Alexei Navalny.