Aplikacion
Në fjalën e tij në përfundim të punimeve, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg deklaroi se tërheqja e pretenduar nga Kremlini nuk është bindëse dhe se nuk sheh një çtensionim të situatës.
“Nuk kemi parë ndonjë shenjë të çtensionimit në terren. As tërheqje të trupave dhe pajisjeve ushtarake. Kjo mund të ndryshojë, por megjithatë ajo që shohim sot është se Rusia ka një forcë pushtuese masive gati për sulm, me kapacitete të shtuara nga Bjellorusia”, tha Jens Stoltenberg.
Stoltenberg akuzoi Moskën se synon që përmes forcës të kontestojë parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe kjo sipas tij është një “normalitet i ri” me të cilin Evropa duhet të jetojë.
Ndërkohë, komandantëve të NATO-s u është urdhëruar të gjejnë mënyra se si të vendosin grupe të reja ushtarake në lindje të Evropës.
Bëhet fjalë për grupe që janë në gatishmëri ushtarake, të përbëra nga forcat e vendeve të ndryshme anëtare, që punojnë së bashku.
Për NATO-n, kjo është përgjigja më e mirë ndaj pushtimit të Krimesë nga Rusia dhe angazhimit më të madh ushtarak të saj që prej kohës së Luftës së Ftohtë.