Aplikacion
NATO ka vendosur të zhvendosë stafin me bazë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, në Lviv në perëndim të vendit dhe në Bruksel për arsye sigurie, raporton Reuters.
“Siguria e personelit tonë është parësore, kështu që stafi është zhvendosur në Lviv dhe Bruksel. Zyrat e NATO -s në Ukrainë mbeten funksionale”, tha zyrtari për Reuters, pa dhënë një vlerësim të njerëzve dhe pozicioneve që ishin zhvendosur.
Kjo pason vendimet e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për të zhvendosur operacionet e tyre të ambasadës në Ukrainë nga Kievi në Lviv. Disa vende të tjera kanë zhvendosur diplomatët dhe shërbimet jashtë kryeqytetit gjithashtu.
Kujtojmë që sot Presidenti i Ukraines i bëri thirrje homologut rus Vladimir Putin për një takim dhe për përpjekje për një zgjidhje të krizës.
“Unë nuk e di se çfarë do presidenti i Federatës Ruse, kështu që propozoj një takim,” tha zoti Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u takua edhe me nënpresidenten amerikane Kamala Harris. Zoti Zelenskyy tha se Rusia mund të zgjedhë vendndodhjen e bisedimeve.