Aplikacion
Në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale, Ndreca mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Vendimi për kalimin e çështjes në gjykim u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila i ka vlerësuar të mjaftueshme hetimet e prokurorisë.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, bashkëpunuan në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
Përveç Ndrecës, në listën e të akuzuarve janë dhe anëtarët e njësisë së prokurimit, Denisa Skënderaj, Lira Kolasi dhe Blendi Kovi; anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, e Jonarda Qurku; anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, si dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari dhe Aida Shehi, që akuzohen se kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.
Prokuroria po ashtu akuzon anëtarët e një komisioni për marrjen në dorëzim të projektit, se kanë nënshkruar procesverbale të rreme. Anëtarët e këtij komisioni janë të pandehurit Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi.
Të pandehurit, të udhëhequr nga Ndreca, akuzohen se kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
Ministria e Brendshme në kontratën “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte caktuar një vlerë totale prej 54,2 milionë lekësh pa TVSH për katër objekte policore. Por kjo vlerë u ndryshua duke zvogëluar numrin e objekteve në 2 dhe reduktuar vlerën në 34,2 milionë lekë. Prokuroria vlerëson se kjo u bë për të favorizuar fituesin./ Reporter.al