zoom

Politikë

“Tendencë për sulm”- Kurti: Vuçiç kërcënoi, tha se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nga Brukseli janë tendencë për sulm ndaj Kosovës.

Ai theksoi se Vuçiç kërcënoi kur tha se nuk njeh integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës.

“Mbrëmë morëm vesh që presidenti serb kërcënon edhe i përmbush ato kërcënime me këso letrash që thonë tri gjëra: Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës dhe është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Është tendencë e hapur për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i papranueshëm. Federata ruse para sulmit në Ukrainë thoshte se nuk e njeh integritetin territorial të Ukrainës. Kosova me 24 shtator ka përjetuar cenim të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Kurti deklaroi se presidenti serb u bë pishman që tha “po” për marrëveshjen dhe tani s’po e nënshkruan.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan sepse ai i ka thënë po marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues për të mos nënshkruar e tash duket që i ka rënë pishman që ka thënë ‘po’. Nuk është e rastësishme që ka filluar që ta përsëris gjithnjë e më shpesh atë vargun që e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje e në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kurti dhe Vuçiç u takuan me 5 udhëheqës të vendeve europiane në Bruksel të enjten, por në përfundim dy liderët nuk arritën një marrëveshje për zgjidhjen e tensioneve.