Aplikacion
Prej orësh të tëra, ata janë detyruar që të qëndrojnë në kushte aspak të mira dhe të shtrirë në tokë në portin e Vlorës, në pritje të tragetit të radhës dhe me shpresën e vetme se do të nisen sa më parë drejt Brindisit.
Mësohet se të moshuarit dhe fëmijët kanë qëndruar pa asnjë mbështetje deri në orën 4 të mëngjesit.
Nga ana tjetër, autoritetet kanë bërë të ditur se prej datës 15 linjat punojnë me kapacitet të plotë, por sërish fluksi është i papërballueshëm, edhe pse ka shtim të linjave pasi sipas tyre janë të shumtë ata që po kërkojnë të kthehen drejt vendeve ku jetojnë.
Të stresuar, të lodhur e të mërzitur, ata shprehen jashtë kamerave se po ndihen shumë keq me gjithë situatën e krijuar.
Të shtrirë në tokë, burra, të moshuar, gra e fëmijë presin në port duke mos pasur ende asnjë informacion se kur do të nisen drejt Italisë.
Ndërkohë ishte planifikuar që trageti drejt Brindisit të nisej në orën 22-30 të mbrëmjes së kaluar, por për arsye që nuk dihen, lundrimi është shtyrë dhe kjo gjë ka bërë që udhëtarët të bllokohen në port.