Aplikacion
Krahasuar me vitet e tjera, progresi është i dukshëm dhe shifrat ushqejnë optimizëm, por vërtetësia e tyre është në pikëpyetje.
Me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se një turist ka shpenzuar mesatarisht 400 euro gjatë qëndrimit në Shqipëri. Kjo shifër tregon se turizmi shqiptar është shumë larg atij elitar dhe mbetet grackë për pushuesit e low-cost, ata që flenë në hostele dhe mjaftohen me kuzhinën e shpejtë.
Fillimisht, ekspertët argumentojnë se një turizëm i llojit low-cost sjell më shumë dëme se sa fitime për Shqipërinë, duke nisur nga ndotja mjedisore, mbipopullimi dhe gjentrifikimi. Studimet tregojnë se turistët rrisin disafish kostot për vendasit (gjentrifikim), të cilët në këtë rast nuk marrin asgjë në këmbim, përveç se një jetesë më të shtrenjtë dhe shumë bezdisje. Një krizë të tillë po e përjeton Portugalia, ku strehimi është përbërë tërësisht i papërballueshëm për vendasit për shkak të gjentrifikimit. Një fushatë e titulluar “tourists go away” (turistë shkoni në shtëpi) është mbështetur gjerësisht atje.
10.2 milionë turistë erdhën në Shqipëri? Jo.
Sipas shpjegimit që jep INSTAT, shifra e turistëve nuk përkthehet në individë, por në hyrje brenda shtetit. Pra, për shembull, 1 person ka udhëtuar 10 herë brenda vitit në Shqipëri. duke u mbështetur në metodologjinë statistikore, vizitorët realë në Shqipëri, janë më pak se aq.
“Turistët nuk qëndrojnë gjatë në Shqipëri”
Eurostat raporton se gjatë 2023-shit, turistët në Shqipëri shpenzuan 6 mln netqëndrime, me rritje 55.6% nga 2021. Por përsëri norma neto e shfrytëzimit, mbeti minimale. Paradoksalisht sa më shumë të rritet numri i turistëve, aq më shumë ulen netqëndrimet. Një turist në Shqipëri, sipas shifrave zyrtare qëndron shumë pak, mesatarisht 3 ditë.
Në fakt, turistët nuk qëndrojnë pak, ata thjeshtë nuk deklarohen.
Evazioni që mban peng ekonominë
Sipas një analizë të detajuar të Co-Plan (2022), hotelet në vend paguajtën vetëm 291 mln lekë. 27 bashki nuk regjistronin fare të ardhura nga taksa e shërbimit hotelier dhe 21 të tjera regjistronin vetëm 1% të asaj çfarë gjenerojnë në të vërtetë, përfshirë bashkitë e zhvilluara.
Informaliteti në këtë sektor, thotë studimi, shfaqet në forma të ndryshme si mos regjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mos deklarimi i net qëndrimeve apo deklarimi i numrave fiktivë të turistëve etj. Pra ekziston një hendek i madh në numrin e strukturave akomoduese të deklaruara përkundrejt atyre që realisht ushtrojnë aktivitetin në territor.
Kjo gjeneron dy probleme kryesore. I pari ai i financave vendore, ku bashkitë humbasin miliarda lekë nga mosdeklarimi i këtij aktiviteti, të ardhura që mund të përdoren po në të mirë të turizmit, infrastrukturës dhe strukturave. Problemi i dytë është ai i statistikave zyrtare, që rrjedhimisht ndikojnë dhe në vendimmarrje.
Kryeministri Edi Rama, ka premtuar kthimin e Shqipërisë në një pikë të turizmit elitar, ku do të pushojnë jahtet luksoze dhe pronarët e tyre, por pa asnjë plan se si do të përmirësohet shërbimi e si të ulet evazioni. Për sa kohë, kryeministri kënaqet me artikujt e “Albania, cheap destination”, të vetmit jahte që do të presim do të jenë ato që mbushen me naftë falas në brigjet e Adriatikut./Zoom.al