zoom

Aktualitet

Të ngecur në trafik në Tiranë, 70% e të anketuarve shpenzojnë më shumë se një orë cdo ditë! Kush janë zonat më problematike

Arbri, nga Tirana, ka një kompjuter në bordin e makinës, i cili regjistron kohën dhe ka matur se çdo javë qëndron 25 deri në 30 orë në trafik për një total që është nën 100 km. Mesatarisht, ai shpenzon mbi dy orë në ditë në trafik, me zonën më të rënduar në qendër të Tiranës. Kostoja e parkimit ndërkohë luhatet mes 10-20 mijë lekë në muaj.

Brunilda nuk sheh alternativë as makinën dhe as transportin publik dhe ka zgjedhur të lëvizë në këmbë. “Ka shumë trafik. Nuk ka parkim.
Koha e udhëtimit me autobus është thuajse njësoj nëse eci në këmbë. Tirana është një kaos infrastrukturor. Don Bosko, zona ku jetoj, ka vetëm një rrugë për aq shumë banorë. Me ndërtimet e reja që vazhdojnë, më keq do të bëhet”, thotë ajo.

Si Arbri dhe Brunilda janë me qindra qytetarë që çdo ditë përballen me vonesa në trafik, autobusë me kushte të papërshtatshme dhe pa orare të përcaktuar, sorollatje për të gjetur parkim dhe pagesa që sa vijnë e rriten për të lënë automjetin gjatë natës në vendin ku banon, apo pranë punës.

“Kaos! Në çdo orë e në çdo pikë të qarkullimit. Nëse e filmoni me një dron trafikun në Tiranë gjatë gjithë ditës do ta kuptoni vetë se për çfarë po flas.

Një lëmsh i shëmtuar, i vrazhdë, kaotik, me ndotje mjedisore dhe akustike të tmerrshme, me rrezik për sigurinë e jetës për këdo dhe kudo, për këmbësorët, fëmijët, ata me biçikleta, ata me motorë, me monopatina, si dhe vetë për çdo shofer në timon, në mjete private apo publike”, thotë Endri nga Tirana, i cili vetë lëviz me biçikletë.

Ata komentuan në sondazhin e zhvilluar në faqen e Monitor.al gjatë muajit janar, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting), e cila përveç pyetjeve me zgjedhje, mundëson dhe që qytetarët të japin opinionet e tyre për çështjet e ndryshme.

Gjithsej u përgjigjën 514 të anketuar, 76% e të cilëve meshkuj. Në përgjigje, dominoi grupmosha 34-44 vjeç, me 45% të të anketuarve, e ndjekur nga të rinjtë 18-34 vjeç, me 33% të atyre që u përgjigjën.

Sipas rretheve, dominoi Tirana, me 92% të të anketuarve, duke e bërë si rrjedhojë këtë sondazh përfaqësues vetëm për kryeqytetin. 3% e të anketuarve banonin në Durrës dhe 1% në Elbasan.

97% e të anketuarve thanë se trafiku në qytetin e tyre është i rënduar, ose shumë i rënduar. Vetëm 2.7% mendonin se trafiku është normal.

Duhet theksuar se gjetjet nuk janë shkencore, pasi kampionimi është i rastësishëm, por gjithsesi ato shërbejnë për të dhënë një ide mbi problematikën me të cilën përballen banorët, sidomos ata të kryeqytetit me trafikun, parkimin dhe mungesën e shërbimit publik cilësor.

Me makinë, për komoditet, kursim kohe, por dhe transportit të keq publik

72% e të anketuarve thanë se ata zakonisht udhëtojnë me makinat e tyre personale, përkundrejt 6% me biçikletë dhe 13% më këmbë dhe 9% me transport publik.

Arsyet për zgjedhjen e llojit të transportit janë nga më të ndryshmet, që nga komoditeti, koha e kursyer, shmangia e trafikut, apo dhe ecja më këmbë për përfitime shëndetësore.

46% e të anketuarve dhanë kohën, si arsyen kryesore të zgjedhjes së tyre, 21% përmendën komoditetin, 12% koston dhe 8% mungesën e një transporti të përshtatshëm publik. 5% thanë se e kishin punën larg. Shqetësimi më i vogël i tyre ishte ndikimi në mjedis, që ishte zgjedhje për vetëm 2% të të anketuarve.

“Duhet të çoj fëmijët në çerdhe e kopsht. Me transportin publik është e pamundur të arrij të përcjell të dy fëmijët”, thotë Elisa nga Tirana, që përdor makinën e saj dhe shpenzon mbi dy orë në trafik çdo ditë.

Nëse do të kishte një sistem eficient transporti publik, numri i përdoruesve të makinave do të ulet, sidomos në kryeqytet. Shumë të anketuar përmendin problematikat me autobusët, që i detyrojnë ata të nxjerrin makinat për të shkuar në punë, apo për të plotësuar nevoja të tjera të përditshme.

“Është e pamundur të arrihet vendi i punës me mjete të transportit publik”, thotë Genti nga Tirana, i cili me mjetin e tij shpenzon mbi dy orë në ditë i ngecur në trafik.

“Ka një transportit publik jocilësor, ku problematika kryesore është mungesa e ajrit të kondicionuar gjatë sezonit të verës dhe sidomos mbipopullimi i urbaneve”, thotë D, nga Tirana, që ka zgjedhur të udhëtojë me makinën e saj.

“Përdor makinën se Linjat e Urbanit nuk janë korrekte dhe funksionale. Linjat urbane janë të çorganizuara, nuk lidhen me njëra-tjetrën dhe janë shumë të ngadalta”, thotë Sokoli nga Tirana.

Ka dhe nga ata qytetarë, sidomos femra, që nuk përdorin as makinë dhe as mjet publik, duke ndjekur një stil jetese të shëndetshëm. “Lëviz në këmbë sepse nuk kam ku të parkoj, eliminoj trafikun, mbaj trupin në formë, kursej karburantin që do të shpenzoja për të shkuar në punë”, thotë K. Koroveshi, femër nga Tirana.

Të ndarë sipas llojit të transportit, 61% e atyre që ngasin biçikletën thanë se e kanë zgjedhur këtë alternativë për shkak të kohës.

Nga të anketuarit që udhëtojnë më këmbë, 40% thonë se e bëjnë këtë për shkak të kohës, 20% për koston dhe 10% për përfitime shëndetësore.

80% e atyre që udhëtojnë me transport publik thanë se e bëjnë këtë për shkak të kostos.
Nga ata që përdorin makinë, 50% e bëjnë këtë për shkak të kohës, 25% për komoditetin, 10% nga mungesa e transportit të përshtatshëm publik.

83% e atyre që udhëtojnë me makinë thanë se e përdorin automjetin e tyre çdo ditë, 16% thanë disa herë në javë dhe më pak se 2% e mbante veturën për të dalë rrallë me të.

Shumë trafik

Në Tiranë, vetëm gjatë vitit 2024, u regjistruan për herë të parë 41 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ose 41% e totalit të mjeteve të reja në vend.

Në total, në kryeqytet janë të regjistruara rreth 330 mijë mjete aktive, sipas DPSHTRR. Në një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh, sipas Censit të ri të INSTAT, në kryeqytet ka 550 makina për 1000 banorë, ose një makinë për çdo dy banorë, shifër kjo pothuajse e barabartë me mesataren e Bashkimit Europian (560 makina për 1000 banorë, sipas Eurostat) dhe gati dyfishi i mesatares së vendit. Këtyre u shtohen dhe makinat që vijnë çdo ditë nga rrethet e tjera.

Shtimi i automjeteve, ndërsa rrugët e brendshme të Tiranës jo vetëm nuk janë zgjeruar, por janë ngushtuar nga korsitë e biçikletave vitet e fundit, kanë rënduar trafikun brenda në qytet. E vetmja lehtësi ka qenë përfundimi i Unazës së Madhe, që ka liruar trafikun në periferi.

41% e të anketuarve që deklaruan se ishin përdorues makine thanë se kalonin 1-2 orë në trafik në ditë. 29% thanë se kalonin më shumë se dy orë në automjet pa lëvizur. Në total, 70% e përdoruesve të automjeteve humbin më shumë se një orë në ditë të ngecur në trafik. Vetëm 6% thanë se koha në trafik ishte më pak se 30 minuta dhe 24% nga 30 minuta deri në 1 orë.

E ndarë vetëm për kryeqytetin, përqindja e të anketuarve, që kalojnë më shumë se një orë në trafik rritet në 73% dhe vetëm 5% shpenzojnë më pak sesa 30 minuta duke pritur të lirohet rruga.

“Në momentin që e jeton trafikun thuajse çdo ditë, është i dukshëm zhgënjimi që shfaq në çdo dalje në kryeqytet. Tirana është tjetërsuar dhe krijimi i shumë segmenteve rrugore, duke marrë parasysh dhe mbipopullimin e vendit 1/3 e Shqipërisë që jeton në Tiranë, e bën tepër stresuese qarkullimin.

Unë kam vite që qarkulloj me urban, pasi e shoh me kosto më të ulët, por në anën tjetër, mbingarkimi nuk njeh transport, në qofsh me linjë urbane apo automjet. Problematikë gati 5-7-vjeçare”, thotë Andi nga Tirana, që përdor transportin publik për shkak të kostove.
“Është katastrofë, shpenzoj rreth 2 orë në ditë në trafik, për të shkuar dhe për t’u kthyer. Për më tepër që brenda Unazës së Vogël është mision i pamundur për parkim”, thotë Flori nga Tirana, i cili e përdor makinën çdo ditë

“Trafiku në Tiranë është një ndër problemet më të mëdha me të cilin përballet qyteti. Mosndërtimi i rrugëve të reja dhe përqendrimi i ndërtimeve brenda unazës kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke e bërë lëvizjen pothuajse të pamundur gjatë orëve të pikut.
Për më tepër, transporti publik cilësor mungon thuajse tërësisht; aktualisht, ai kufizohet vetëm me autobusë që nuk ndjekin orare fikse, ndërsa mungojnë tërësisht metroja, tramvajet apo zgjidhje të tjera moderne që do të lehtësonin lëvizjen.
Densiteti i lartë i popullsisë në një zonë të vogël gjeografike e bën thuajse të pamundur gjetjen e hapësirave për parkim, duke shkaktuar stres të përditshëm për banorët dhe drejtuesit e mjeteve. Përveç kësaj, mungesa e politikave afatgjata për decentralizimin e shërbimeve dhe zhvillimin urban në periferi përkeqëson më tej problemin.

Investimi në zgjidhje moderne të transportit publik, si metroja dhe tramvaji, ndërtimi i rrugëve alternative dhe krijimi i hapësirave të posaçme për parkim janë më shumë se të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytet”, thotë Leonati nga Tirana, i cili përdor makinën disa herë në javë dhe shpenzon mbi 2 orë në trafik.

Astiri, hyrja e Tiranës dhe autostrada, zonat me më shumë trafik

Astiri përmendet nga shumica e komentuesve si zona që ka më shumë trafik në kryeqytet. Gati 20% e tyre kanë deklaruar se aty qëndrojnë më shumë duke pritur që të hapet rruga.

“Në të përditshmen time has më shumë trafik në Astir, hyrje dalje të Tiranës, rruga e Durrësit deri në Kthesën e Rinasit dhe në kthim. Por të gjitha rrugët e Tiranës në unazë të vogël dhe rrugë të tjera të rëndësishme kanë një super trafik”, shkruan një komentues nga Tirana, që mbetet dy orë në ditë rrugëve.
Zona e 21 Dhjetorit, unaza e vogël, Selvia, Pallati me Shigjeta (nënkalimi), Rruga nga Kombinati deri te Amerikan 3, Fresku, Mine Peza, Zogi i Zi, Medreseja janë destinacione të tjera që kalisin durimin e përdoruesve të automjeteve e transportit publik.

“Çdo zonë është e rënduar në Tiranë. Rruga që përshkoj përfshin Liqenin e Thatë, Kopshtin Zoologjik, Qendrën Kristal. Në rast jo trafiku rruga bëhet për 10 minuta. Kur ka trafik shkon 50 minuta”, thotë S.D.

Në daljet e unazës së madhe për të hyrë në qytet, rruga ngushtohet, duke krijuar gjithnjë trafik. “Për të hyrë çdo mëngjes në Tiranë në daljen te Kopsht Zoologjik duket të pres mbi 30 minuta”, thotë Denisa, që ka pas kohë që ka marrë shtëpinë në atë zonë.

Kur kthehesh nga puna i lodhur dhe mbetesh në trafik

Edhe hyrja e kryeqytetit nga kjo anë është një stres më vete për përdoruesit e automjeteve private, apo dhe ata që udhëtojnë me transport publik.

Shumë zyra vitet e fundit janë zhvendosur në autostradë, ose në periferi të Tiranës, duke bërë të detyrueshëm përdorimin e automjeteve private për të shkuar në punë.

“Shpenzoj një orë në ditë për të shkuar në punë dhe një orë tjetër për tu kthyer”, thotë një punonjës i doganave.

Ndonëse përfundimi i unazës ka lehtësuar trafikun në shumë pika, hyrja në kryeqytet nga Durrësi e Kamza mbetet problematike.

“Nga Kamza në Tiranë me autobus duhet 1.5 orë, po kështu edhe për ardhje. Autobusët në Kamëz dhe Tiranë nuk bëhen dy bashkë kurrë, por mbeten në trafik.

E keqja më e madhe është se kur vonohen rrugës, mbushen aq shumë sa të merret fryma, sidomos në dalje nga Tirana për Kamëz. E keqja, mes shumë të tjerave rrugës, është kthesa e Kamzës. Aty ka shkencë të veçantë botërore për kryqëzime”, thotë Ajeti.
Ka vështirësi të madhe për të lëvizur në Tiranë, çdo rrugë është e mbingarkuar, sidomos hyrja dhe dalja. Hyrja për në Tiranë nga Durrësi është pjesa më problematike, ku nga 5 korsi reduktohet në 2 korsi, pasi është dhënë leje ndërtimi aty ku s’duhet.

Në vend që ndërtimet të projektohen e zbatohen në varësi të rrugëve, në Shqipëri ndodh e kundërta, duhet që rrugët t’u përshtaten projekteve ndërtimeve dhe për disa që pasurohen duhet të vuajnë çdo ditë qindra mijë njerëz”, thotë Albani.

Autostrada konsiderohet si zona me më shumë trafik nga 10% e komentuesve.

“Tani që po shkruaj kam gjysmë orë që kam ngecur në Vorë. Kjo ndodh për shkak se tashmë i gjithë Veriu shkarkon në mes të autostradës, që pas ndërtimit të rrugës me pagesë. Këtu çdo investim bëhet mbrapsht. Duhej zgjeruar më parë rruga Tiranë-Durrës, që është nyja më e rëndësishme e lidhjes së vendit. Imagjinoni se çfarë do të bëhet në verë”, shkruan A.Z nga Tirana.

Mëngjesi dhe pasditja më të ngarkuarat
Dalja herët në mëngjes për shumë nuk është një zgjedhje, por një detyrim për shkak të orarit të caktuar për tu paraqitur në punë, apo domosdoshmërisë për të ikur në shtëpi.
Koha kur ka më shumë trafik është midis orës 7.00-9.00, kur të gjithë ikin në punë apo në shkollë, që është konsideruar e tillë nga mbi 80% e të anketuarve.

Kthimi për në shtëpi gjithashtu kërkon durim. Midis orës 17.00-19.00 duhet të presësh radhën në hyrje të Tiranës, në unazën e vogël, apo në pothuajse çdo rrugë të kryeqytetit. Ky orar është zgjedhja e dytë si më e ngarkuara, nga 64% e të anketuarve.

Nëse do të qarkullosh lirshëm nëpër Tiranë, duket të dalësh pas orës 7 të mbrëmjes./Monito