zoom

Politikë

Të gjitha vendimet, si ndryshon PD nga statuti i Berishës

Enkelejd Alibeaj deklaroi se vendimi i Gjykatës së Tiranës për të regjistruar statutin e Kuvendit të Sali Berishës, të mbajtur më 11 dhjetor të vitit të kaluar, do të apelohet. Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike këmbëngul se Rithemelimi nuk e ka marrë ende partinë dhe se ligjet dhe Kushtetuta e vendet kanë hapësira për ankimim.

Deri atëherë duhet pritur. Por, po ju sjellim më poshtë edhe një herë të gjithë vendimmarrjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, të thirrur nga Sali Berisha.

Në praninë e 4935 delegatëve dhe militantëve të shumtë të pranishëm në Air Albania, Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi zyrtarisht me votim të fshehte kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me propozim të 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar për thyerje të rënda të statutit të PD-së dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj

Jo vetëm kaq. Kuvendi shkarkoi gjithashtu të gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe e ka zhveshur nga funksionet edhe kryesinë që ishte në fuqi, me argumentin se nuk janë zgjedhur konform statutit.

Pro shkarkimit të Bashës, sipas rezultateve të publikuara, kanë votuar 4446 delegate, kundër 36 dhe 9 e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme. Kuvendi ngriti Komisionin e Rithemelimit, të cilit iu besua drejtimi i partisë deri në fund të muajit mars. Për shkak të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, Rithemelimit iu shty ky afat deri në fund të prillit.

Anëtarët e Komisionit janë: Agron Shehaj, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Arben Ristani, Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Bujar Nishani, Çlirim Gjata, Edith Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Evi Kokalari, Flamur Noka, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Rigels Muçollari, Ivi Kaso, Keltis Kruja, Klevis Balliu, Ledina Mandija, Luan Baçi, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi, Sali Berisha dhe Tritan Shehu.

Me ndryshimet në statut servirur vetëm të shtunën delegatëve, Kuvendi shfuqizoi edhe vendimin e Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.

Në statut u përfshi edhe një nen ku thuhet se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës kaloi më pas për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha thirri Kuvendin e tij. Mbi 40 mijë anëtarë të partisë, sipas shifrave të publikuara nga Komisioni i Rithemelimit, votuan pro shkarkimit të Bashës.

Në Kuvendin e thirrur nga Berisha delegatët votuan me ngritje dore edhe për një dokument me 49 faqe ku sanksionohet vendosja e primareve, lejimi i fraksioneve, i referendumeve për vendime të rëndësishme të partisë,

Zbatimi i parimit “1 anëtar 1 votë” për zgjedhjen e organeve në qendër dhe ato lokale, kryetari që humb zgjedhjet pavarësisht arsyeve i përfundon mandati menjëherë dhe pa asnjë ekuivok dhe votëbesohet në anëtarësi nëse ai humbet lokalet.