Aplikacion
Tatimet njoftuan se kthimi i kësteve të parapaguara do të përmbyllet si proces brenda dhjetorit.
Paratë, shpjegoi Administrata Tatimore, do të kalojnë në llogaritë bankare të profesionistëve të lirë.
Ata që preken nga ky akt normativ duhet të saktësojnë të dhënat e llogarisl bankare brenda datës 10 dhjetor.
Njoftimi i plotë i Administratës Tatimore:
Administrata Tatimore bën me dije se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rimbursimin e shumave të parapaguara si këste paraprake të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin apo Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024 brenda 30 dhjetorit 2024, në zbatim të Aktit Normativ nr. 4, datë 27.11.2024, “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar.
Rimbursimi i shumave të paguara për tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale (me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë) do të kryhet në llogaritë e tyre bankare. Është shumë e rëndsishme që tatimpaguesit, subjekt i këtij akti ligjor të kenë llogari bankare aktive në një nga bankat e nivelit të dytë, në monedhën Lek.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, që ofrojnë shërbime profesionale dhe kanë paguar këste paraprake të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin apo Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024 që të verifikojnë, saktësojnë apo përditësojnë të dhënat e llogarive të tyre bankare, në e-Filing, llogaria e deklarimit elektronik, brenda datës 10 Dhjetor 2024. Ky proces kryhet në menunë e-Filing im – Detajet e bankës.
Sjellim në vëmendje që informacioni i të dhënave bankare duhet të plotësohet në mënyrë të saktë dhe që llogaria duhet të jetë aktive dhe në monedhën Lek për të mundësuar rimbursimin e pagesave të kryera si dhe për të shmangur gabimet e mundshme në kryerjen e transaksioneve.