Aplikacion
Kujtojmë se fundi i këtij muaji ishte vendosur nga vete presidenti Joe Biden, si afati i fundit për evakuimin e ushtrisë dhe civilëve që kanë bashkëpunuar me Perëndimin, por pak ditë më parë Biden la të hapur mundësinë e shtyrjes së afatit.
“Është një vijë e kuqe, Presidenti Biden pati thënë se në 31 gusht do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake dhe nëse e zgjasin këtë afat, do të thotë se po zgjasin pushtimin. E po ndodhi kjo, do të ketë reagim. Nëse SHBA-ja apo Britania e Madhe kërkojnë kohë shtesë për evakuimet, përgjigja është ‘jo’. Në të kundërt, do të ketë pasoja”, tha për Sky News zëdhënësi i grupit militant, Suhail Shaheen.
Eksodin e afganëve dhe kaosin në aeroportin e Kabulit, zëdhënësi I talebanëve e quajti emigracion ekonomik.
“Mund t`ju siguroj se nuk bëhet fjalë për shqetësime apo për frikë. Ata thjesht duan të shkojnë në vendet perëndimore sepse këtu në Afganistan, ka varfëri të madhe”, u shpreh zëdhënësi taleban.
Boris Johnson dhe Joe Biden pritet të dalin me një deklaratë për zgjatjen e afatit të largimit të trupave nga Afganistani, me qëllim që një numër më i madh njerëzish të arrijnë t’i largohen sundimit të terrorit taleban. Por duket se talebanët nuk e pranojnë këtë.