Aplikacion
Në konferencën për median, presidentja e KE deklaroi se Kosova e Serbia duhet të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe të shtensionojnë situatën në veri të vendit. Sipas saj me rëndësi është që të gjitha palët e përfshira të punojnë së bashku për të ardhmen.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se është e shqetësuar për tensionimin e situatës në veri të Kosovës. Sipas saj, zgjedhja e vetme është dialogu Kosovë-Serbi.
“Jam shumë e shqetësuar me krizën e dy shteteve, dhe mënyra e vetme është dialogu dhe bisedimet. Sepse dua ta shoh progresin e Kosovës, andaj dua ndryshime në këtë situatë”.
“Ndërsa ne po flasim këtu, negociatorët janë në Bruksel duke u negociuar këto dhe shpresoj të kenë mandat të qëndrueshëm për të negociuar sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur tutje. Jam thellësisht e bindur që është me rëndësi të shtensionohet situata e të vazhdohet me dialog konstruktiv. Vij nga BE-ja që të dyja me përvojë mbi 70 vjet se çka nënkupton kapërcimi i mosmarrëveshjeve. Ku Gjermania ishte përgjegjëse për holokaustin”, ka thënë ajo.
Zyrtarja e lartë e KE-së theksoi se ëndërron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së. Ka ofruar mbështetjen në luftën kundër pandemisë e ringjalljen ekonomike.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, ka thënë se e ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian me faktin se Serbia ka grumbulluar forcat në kufirin me Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat.
Teksa ka përmendur me rend armatimin serb në veri me Kosovën, Kurti deklaroi se ky shtet edhe po merr donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër po militarizohet nga Rusia e Kina.
Vendimin për zbatimin e reciprocitetit Kurti s’e ka cilësuar si “vendim të ri”. “Ne veçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër”, ka thënë ai. Kurti ka përsëritur po ashtu qëndrimin që Kosova është për bashkëpunim më të madh rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Serbinë për refuzimin që ia ka bërë një propozimi të KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri.
KFOR-i ka rekomanduar heqjen e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak si dhe zëvendësimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës me pjesëtarë të KFOR-it. Kjo qe pranuar nga Qeveria e Kosovës, por u refuzua nga pala serbe.
Këto i ka konfirmuar kryeministri Kurti, që ka shtuar se Serbia po refuzon për herë të dytë propozimet për shtensionim të situatës.
“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it dhe i cili pak a shumë dha një propozim që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në qetësim të situatës nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Në parim e kemi pranuar këtë. Sa i përket orareve të tërheqjeve e realizimit teknik e logjistik të dakordimit të tillë kemi mbetur të dakordohemi edhe me Policinë e Kosovës. Në dakordimin në parim që ia kemi dhëne, jemi konsultuar paraprakisht me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, por Serbia e ka refuzuar këtë. Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun në Bruksel duke vënë kushte, e këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i. Ne i kemi pranuar të dyja. Kemi qenë shumë gjenerozë dhe të gatshëm për takim për bisedime në Bruksel e në parim jemi dakorduar për propozimin e komandantit të KFOR-it, që pas takimit me neve ka shkuar në takim me katër kryetarët e komunave në veri dhe ata duket se pas konsultimit me kreun e fqinjit tonë verior, kanë refuzuar. Është për të ardhur keq sepse kjo ka ndodhur pas tankeve e MIG-ut në Jarinjë dhe pas djegies së qendrës në Zubin-Potok e bombave në Zveçan. Ne kemi pranuar, por Serbia ka refuzuar”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq Von der Leyen i është shmangur pyetjeve se sa duhet të pritet që Serbia të mos mbetet “fëmija i lazdruar”. Ajo ka thënë se “diskutimet e fundit janë dëshmi se sa ka rëndësi dialogu për zgjidhjen e çështjes”.
“U bëra gjyshe në burg”/ Familja e shoferit të Ardi Veliut qahet në gjyq: Kemi çati llamarine