Aplikacion
Tabaku theksoi se duhet që palët të mos e sulmojmë njëri-tjetrin, por të kritikohet dhe të rrëzohet keqqeverisja e Ramës.
“Jam pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kam mbështetur Bardhin si kryetar të grupit parlamentar të PD-së. Pozitive është që opozita po shkon drejt bashkimit. Është e rëndësishme që ne po shkojmë tek njerëzit. Duhet të mos sulmojmë njëri-tjetrin, por të kritikojmë qeverinë e Edi Ramës. Nuk ka rëndësi se ku jam, e rëndësishme është që të bëjmë opozitë ndaj kësaj keqqeverisje.
E rëndësishme është që opozita të bëhet më e gjerë, që të mos humbasë asnjë votë. Ne do të çojmë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për profesionet e lira. Unë nuk besoj tek barazia, por tek drejtësia. Duhet të ketë drejtësi, çdokush të marrë atë që meriton. Po diskutojmë për një sistem, që ka prishur meritokracinë. Më kanë kontaktuar IT dhe persona të tjerë, që kanë hapur bizneset e tyre. Ky ligj prek rreth 30 mijë persona”, tha Tabaku për “News 24”.
Jorida Tabaku theksoi se ligji për zonat e mbrojtura shkatërron natyrën. Sipas Tabakut, Rama ka kaluar në parlament disa ligje, që janë mirfilli klienteliste.
“Transparency International ka deklaruar se disa ligje janë kaluar me porosi. U mbyllën dyqanet e lagjeve dhe janë hapur supermarketet, ishte me porosi që të bëheshin disa persona të pasur. Ligji i basteve ishte me porosi. Ligji i zonave të mbrojtura tregon se mund të ndërtohen hotele, infrastrukturë dhe shërbime mbështetëse. Është praktikë e dëmshme, që po hapin dyert e të gjithë peizazheve natyrore, duke pasur primare fitimet. Unë shpresoj që presidenti të shoh të gjitha argumentet dhe të kthejë ligjin. Nëse presidenti nuk e kthen ligjin për zonat e mbrojtura, do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Shqiptarët po ikin masivisht, kjo tregon sesi po ecën ekonomia”, deklaroi deputetja demokrate.
Tashmë duket se urat mes PD-së së bashës dhe Rithemelimit janë hedhur dhe muajt në vijim mund të sjellin një koalicion me piketa të vendosura me marrëveshje për koalicion opozitar kundër qeverisjes. /ZOOM.AL/