Aplikacion
Partia Demokratike e ka denoncuar koncesionin e dytë që prej vitit 2016 dhe në atë kohë çështja u protokollua, verifikua, por nuk u vijua, duke e konsideruar me mungesë të elementëve apo veprës penale, pa indicio konkrete dhe prova.
Në atë kohë hetonte Prokuroria e krimeve të Rënda dhe e Tiranës. Por pse heshti dhe nuk i thelloi hetimet organi i akuzës, siç po vepron aktualisht?
Konkretisht u akuzua Beqaj se kishte favorizuar mikun e tij te “Delta Farma”, aty ku BKH mësyu ditën e djeshme dhe po vijon hetimet, teksa ish-ministri kishte ndryshuar rregullat dhe vendimet që ky koncesion i barnave të fitohej nga kompania.
Denoncimi u depozitua në atë kohë nga deputetët aktualë të PD-së, Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
Në një deklaratë për mediat ata sqaruan në dosjen voluminoze shkeljet dhe veprat penale të konsumuara në abuzimin klientelist dhe korruptiv të çështjes.
“Partia Demokratike kallëzoi në prokurori për shpërdorim detyre Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja. Opozita e akuzon për ndërhyrje në tenderin e barnave”, tha deputetja Tabaku.
Sipas demokratëve, “ministri Beqja ka favorizuar kompaninë e një mikut të tij, “Delta Farma”, duke ndryshuar kriteret e tenderit, duke lejuar futjen e barnave të paçertifikuara në vend”.
Ky është kallëzimi i dytë që demokratët bëjnë ndaj Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja pas atij për tenderin e Check Up –it.
Reagimi i plotë i Tabakut:
“Sot bashkë me kolegët Vokshi dhe Bardhi dorëzuam në prokurori kallëzimin penal për shpërdorim detyre për Ministrin Beqja.
Me një urdhër të pazakontë ministri ka ndërhyrë mbasi janë hapur dokumentet e tenderit dhe ka ndryshuar kriteret duke hequr si detyrim dokumentin e origjinës dhe autorizimin e prodhuesit. Kjo ka bërë që përveç kostos financiare prej 1 mld lekësh të ketë dhe dëme në shëndetin dhe sigurinë e jetës.
Ky vendim i hapi rrugë barnave te pakontrolluara dhe bëri te mundur që siguria e tyre të jetë e dyshimtë. Falenderoj ekspertët e shëndetit, ekspertët ligjorë dhe ato të antikorrupsionit për punën voluminoze dhe dokumentimin e kësaj afere”. /ZOOM.AL/