Aplikacion
Përmes një video mesazhi, kryeministri hedh poshtë pretendimet se kjo lëvizje u bë për shkak të fushatës elektorale të zgjedhjeve 2025.
“Po ç’a ke bërë o vëlla, se s’po të marrim vesh, po na bën Zotin. Është ulur çmimi në të gjithë botën, e rrite para 4 vitesh, po e ulni për zgjedhje, kaq! Ç’a është kjo propagandë boshe?”, thuhet në komentin, të cilin ka përzgjedhur Rama për t’ju përgjigjur.
“E para, ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike. Kemi mbajtur një dekadë rresht çmimin fiks 9.5 Lekë që për shumicën dërrmuese ishte më i ulët se sa çmimi që gjetëm kur erdhëm në detyrë prej 13.5 Lekësh. E dyta, çmimi jo vetëm që nuk është ulur në të gjithë botën, por është rritur në shumë vende pas agresionit rus të fillim vitit 2022. Ndërkohë kjo e jona është ulja e vetme në Europë e çmimit të energjisë elektrike për familjarët, të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë”, i përgjigjet Rama.
Më tej, ai “sfidon” këdo që të gjejë të paktën një rast të vetëm përgjatë viteve në pushtet që ka bërë diçka të ngjashme, me qëllim marrjen e votave.
“Kush thotë që kjo është ulje elektorale duhet të më gjejë në tërë këto vite një veprim të kësaj natyre, me karakter elektoral që të kem bërë për vota kundër logjikës ekonomike, financiare të vendit, ose një rast kur një masë pozitive që kemi marrë para një procesi zgjedhor ta kemi hequr pas fitores në zgjedhje. Nuk ka, mos kërkoni kot! Se nuk ka ndodhur!”- vazhdon Rama në përgjigjen e tij.