Aplikacion
Të kamufluar si blogerë, të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione zbulimi, deklaroi një burim për Top Channel. Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme.
Një burim nga ushtria shqiptare në kushtet e anonimatit bën me dije se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit 5.56 mm.
Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S.
Ka dyshime të forta se synimi i këtij grupi rus zbulimi me mision spiunazhi, kërkonte të mësonte progresin e Shqipërisë pikërisht në prodhimin e fishekut 5.56 mm.
Shërbimet inteligjente shqiptare kanë në dorë një provë të rëndësishme në këtë hetim. Makinën me të cilën kanë mbërritur rusët në vendin tonë.
Nëse ata kanë hyrë nga pika e Muriqanit dyshohet se janë pjesë e stacionit të kundrazbulimit të GRU në Beograd.
Prej kohësh, shërbimet inteligjente shqiptare kanë zbuluar se GRU ka edhe një degë aktive në Malin e Zi, nga ku urdhërohen e drejtohen operacionet e spiunazhit brenda territorit të Shqipërisë. Ndërsa agjencia ruse e inteligjencës FSB, veron përmes një stacioni sekret në Nish të Malit të Zi./ Zoom.al