zoom

Bota

Sulmi në Banjskë, konfirmohet urdhri i INTERPOL për arrestimin e serbit Millan Radoiçiq

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës. Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

Çka ndodhi në Banjskë?

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. Ai e mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në këtë sulm. Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, ndërsa Serbia e mohoi përfshirjen dhe drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se MPB-ja do të kërkojë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë. Atëkohë, Sveçla tha se hetimet e kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Mediat në Serbi raportuan se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarreste edhe për 11 persona të tjerë, por REL-i nuk arriti ta konfirmojë informacionin në mënyrë të pavarur. Bazuar në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara nga tetori i këtij viti, UNMIK-u ndihmoi në lëshimin e 44 urdhërarresteve dhe 12 kërkesave për ekstradim në Kosovë nga vendet anëtare të INTERPOL-it. Në bazë të kërkesave për informacion u hapën edhe 640 lëndë të reja. Në total, 974 lëndë, që kanë të bëjnë me territorin apo banorët e përhershëm të Kosovës, janë ende të hapura.