zoom

Politikë

“Suel Çela ka telefonata me Taulant Ballën”

Kreu i PD-së, Sali Berisha po zhvillon një bashkëbisedim me gazetarët si çdo të premte. Në fjalën e tij, ish-kryeministri i Shqipërisë  u shpreh se s’ka pasur asnjë dyshim se banda e Elbasanit dhe bandat e tjera kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë. Ndër të tjera ai tregoi edhe se kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla ka pasur telefonata me Suel Çelën. Ai bëri thirrje që të bëhen publike thirrjet mes Taulant Ballës dhe Çelës .

Berisha:S’ka pasur asnjë dyshim se banda e Elbasanit dhe bandat e tjerra kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë. Se ato kanë pasur në xhep Prokurorinë e Elbasanit. I bëj thirrje Dumanit në emër të asaj që rifiton në vetvete një njeri që rrëfehet. Se çfarë është një i penduar i drejtësisë? Është një njeri që vendos të rrëfehet në kuptimin moral, krimet që ai ka kryer për të shpëtuar shpirtin e tij. Kjo është e pranishme ky rrëfim. I bëj thirrje që ta bëjë të plotë, ta bëj me guxim, pasi ka tendencë censure të rrëfimeve të tij tronditëse që dëshmojnë qartë atë çka thuhet nga mediat. I bëj thirrje që të bëhen publike tabulatet e Taulant Ballës me Suel Çelën. Taulant Çela është minimuni.

Por kush është Suel Çela?

Deri në shtator të 2017-s, fama e Suel Çelës nuk shkonte përtej Elbasanit. Megjithatë, në këtë qytet ai ishte padron dhe këtë e konfirmoi në atë kohë karshillëku i bërë pranë tregut të fruta-perimeve një postblloku të policisë.

Çela me Audin e tij luksoz për pak sa nuk shtypi efektivët e policisë që e ndaluan për kontroll. Pamjet që u publikuan treguan mjetin duke hyrë në mjediset e brendshme të tregut të fruta-perimeve, ku roja mbyll menjëherë derën duke mos lejuar policinë që ta ndjekë nga pas.

Por, megjithëse publiku përtej Elbasanit e njihte pak, ose aspak, për policinë dhe organet ligjzbatuese ai ishte pjesë e një kontigjenti me akuza e vepra të rënda penale mbi shpinë. Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik droge, por megjithëse i tillë u është shmangur disa herë përpjekjeve për ta arrestuar dhe ekstraduar.

Një proces i gjatë gjyqësor u zhvillua për këtë çështje, që u mbyll në fillim të 2020-s me shpalljen të pafajshëm nga ana e Gjykatës së Elbasanit. Kjo ishte fitorja e dytë e Suel Çelës ndaj drejtësisë. Të parën e arriti në nëntor të 2019-s, kur u shpall i pafajshëm për përplasjen me policinë në shtator të 2017-s.

Në atë ngjarje ai përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

Sueli është djali i Petrit Çelës, pronari i tregut ushqimor në Elbasan dhe biznesmen i njohur në këtë qytet. Nga PD, ai është akuzuar për lidhje të forta me ish-kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Lidhja Sejdini-Çela, sipas PD përforcohej edhe nga lidhja dhe bashkëpunimi në grup të strukturuar kriminal mes Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, ky i fundit dhëndrri i ish-kryebashkiakut.

Në vitin 2017, fill pas incidentit tek tregu ushqimor, në media doli lajmi se policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë referuar në atë Prokurorinë e Krimeve të Rënda materiale dhe dokumente, ku përmenden hotele dhe biznese që dyshohet se u përkasin familjeve Çapja dhe Çela. Asokohe thuhej se do të verifikoheshin pasuritë e Petrit Çelës, ku përfshihen Tregu Agro-Ushqimor, shtëpi, vila dhe dyqane në qytetin e Elbasanit.

Edhe pse u tha se kanë nisur hetimet, pasuritë e tyre nuk u preken asnjëherë. Kontrolli i dytë i pasurisë së Suel Çelës mbërriti në fillim të 2020 në kuadër të OFL-së. Se çfarë ka gjetur OFL në këtë hetim të dytë, zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë, por dosja në ngarkim të tij ishte në listën e dosjeve që u dorëzuan në SPAK për hetime të mëtejshme.

Vrasës i lindur

Telashet me drejtësinë të Suel Çelës datojnë që në 2006-n, por në të gjitha rastet deri më tani ai ja ka dalë mbanë që t’i shmanget qelisë për një kohë të gjatë. Krimi i parë për të cilin u akuzua ishte vrasja me armë zjarri në Roland Mustës në Elbasan.

Çela, në atë kohë 20 vjeç dhe me banim në të njëjtën lagje u arrestua si i dyshuaar në Shkodër. Ndaj tij u ngritën akuzat e vrasjes me paramendim dhe prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake.

Në vendngjarje, policia gjeti 3 gëzhoja të dala nga një armë zjarri. Në të njëjtën kohë policia bllokoi edhe kartat e telefonit dhe mori dëshmi nga banorë të pallatit dhe lagjes ku ndodhi ngjarja.

Por, në fund të shqyrtimit të dosjes deklaroi pavlefshmërinë e procesverbalit të sekuestrimit të provave materiale, pavlefshmërinë e këqyrjes së një karte telefonike, pavlefshmërinë e procesverbaleve të dokumentimit të përgjimeve, pavërtetësinë e deklarimeve të prindërve të viktimës dhe të dëshmitarëve të tjerë.

Pas kësaj, Suel Çela u lirua në sallën e gjyqit, vendim i cili është kundërshtuar ashpër nga familjarët e viktimës./zoom.al/

Postime të lidhura