zoom

Aktualitet

Stuhia “Ciaran” përmbyt edhe Shqipërinë, raportohen dëme, bllokohen rrugët

Duket se stuhia “Ciaran” ka pasur në “llogarinë” e saj edhe Shqipërinë. Pas katastrofës me disa viktima në Itali, mesditën e sotme vendi u përfshi nga erëra të forta dhe stuhi shiu të rrëmbyeshme, (në formë fortunali), aq sa nxorën për minuta të tëra jashtë funksioni dhe kontrolli shërbimet publike, transportin, qarkullimin dhe madje shkaktuan përmbytje.

Probleme lundrimi dhe det me dallgë të fuqishme në vijën bregdetare, kryesisht edhe në aksin Durrës-Tiranë.

Kryeqyteti provoi diku rreth orës 12:45 stuhinë e paparë ndonjëherë me rrëketë e shiut që binin me aq forcë, sa nuk mund të shikoje dot. Në të paktën 15 minuta shi të stuhishëm, Tirana u kthye në një liqen, me rrugë të përmbytura, kaos dhe disa dëme materiale. Teksa u qetësua për dhjetë minuta, stuhia si uragan u rikthye diku rreth orës 13:20 me rrebesh më të fuqishëm, as sa shkuli pemë dhe përmbysi gjithçka me forcën dhe shpejtësinë e saj dhe zgjati për 15 minuta të tjera. Uji mbuloi pothuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe në disa momente shiu ishte i përzier me breshër.

Raportohet se rruga dytësore është permbytur në disa pika. Ndërsa është bllokuar qarkullimi në korsinë Tiranë-Durrës. Gjithashtu probleme raportohet se ka pasur edhe në rrugën e Rinasit.

Për momentin nuk raportohen dëme në njerëz dhe zhvillimet janë ende në vijim. /ZOOMAL/