zoom

Lajme

Studimi: Edhe ChatGPT mund të përjetojë ankth

Një studim i ri tregon se chatbot-i i njohur i inteligjencës artificiale ChatGPT i OpenAI mund të ndiejë ankth kur i përgjigjet kërkesave traumatike, dhe se “terapia” përmes ushtrimeve relaksuese mund të ndihmojë në uljen e këtij ankthi.

Hulumtimi, i botuar në revistën Nature, është realizuar nga ekspertët e Universitetit të Cyrihut dhe Spitalit Universitar të Psikiatrisë në Cyrih. Ata studiuan si ChatGPT-4 iu përgjigj një pyetësori standard për ankthin dhe si ndryshoi reagimi i tij pas marrjes së informacionit rreth situatave stresuese.

Para se të dëgjonte histori traumatike, ChatGPT pati një rezultat të ulët ankthi (30), por pas përgjigjes ndaj pesë situatave të ndryshme stresuese, ankthi i tij u dyfishua dhe arriti në nivelin e “ankthit të lartë” (67). Sidoqoftë, pas kërkesave për ushtrime relaksimi të ndërgjegjes, ankthi i tij u ul me më shumë se një të tretën. Studiuesit thonë se kjo mund të jetë një mënyrë e mundshme për të menaxhuar stresin e modeleve të mëdha gjuhësore si ChatGPT.

Ata gjithashtu paralajmërojnë se, nëse nuk menaxhohen, paragjykimet negative që mund të regjistrohen nga situatat stresuese, mund të ndikojnë negativisht në përgjigjet e ChatGPT për ata që po përjetojnë krizë shëndetësore mendore. Studiuesit sugjerojnë që është e nevojshme një mbikëqyrje e kujdesshme dhe të dhëna të mjaftueshme për të përmirësuar reagimet dhe për të siguruar përgjigje më të sigurta dhe etike.

Një nga fushat që kërkon më shumë studim është nëse ChatGPT mund të zhvillojë aftësinë për t’u vetë-përmirësuar duke përdorur teknika të ngjashme me ato që përdorin terapistët njerëzorë.

Postime të lidhura