zoom

Aktualitet

Spitali i Traumës me ilaçe të skaduara – KLSH: Të shkarkohet drejtoresha! (ish-deputete e PS)

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon që drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, Edlira Bode të shkarkohet menjëherë nga detyra.

Kjo kërkesë vjen pas një auditimi të imtësishëm të kryer në spital për vitet 2021-2022, që ka zbuluar dhjetëra shkelje.

Sipas raportit të KLSH, në bllokun operator qendror nuk janë pasqyruar në regjistrat e këtij shërbimi 811 operacione për vitin 2022 dhe 667 operacione për vitin 2021.

“Nga ana tjetër si rezultat i planifikimit të gabuar të medikamenteve dhe materialeve të mjekimit nga shërbimet dhe mungesës së kontrollit nga strukturat përgjegjëse për qarkullimin e barnave dhe sinjalizimi për barnat në prag të skadencës, brenda periudhës se auditimit, në Spitalin Universitar të Traumës kanë skaduar barna dhe materiale mjekimi në shumën 9,2 milionë lekë”, vijon më tej raporti.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar probleme edhe në magazinën e spitalit, e cila është jashtë kushteve të ruajtjes së barnave. Aty, sipas KLSH, gjenden edhe barna jashtë përdorimit.

“U verifikua se barnat dhe materialet e mjekimit ruheshin në magazinën e mallrave të Spitalin Universitar të Traumës, ku krahas mallrave gjendeshin dhe pajisje mjekësore jashtë përdorimit e me rrezikshmëri për shëndetin e njeriut. Po ashtu drejtuesit e këtij spitali kanë shkelur rregullat e tenderimeve”, shtohet në raport.

Ndërkohë nga auditimi rezulton se Spitali Ushtarak nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer-morg, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në këtë strukturë.

Drejtuesja e spitalit të Traumës, Edlira Bode ka qenë deputete e Partisë Socialiste. Gjatë viteve 2017-2021, ajo ka mbajtur mandatin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Korçës, si edhe anëtare e Komisionit për Shëndetësinë, Punën dhe Çështjet Sociale.