zoom

Ekonomi

Spiralja e rrezikshme e pagave

Në harkun e një viti, paga minimale u rrit me 33%, duke shkuar në 40 mijë lekë në prill 2023, nga 30 mijë lekë që ishte në fillim të vitit 2021. Të dhënat e përpunuara nga INSTAT tregojnë se, nga viti 2018 deri më 2021, produktiviteti për punonjës në sektorin e prodhimit është rritur me 19%. Për të njëjtën periudhë, paga mesatare bruto u rrit me 13%. Produktiviteti është më i lartë në sektorin e teknologjisë, shëndetësisë, energjisë, ndërsa në sektorin e akomodimit, industrisë, pagat janë rritur më shumë se produktiviteti.Mungesa e fuqisë punëtore rrezikon ta çojë tregun e pagave në një spirale të rrezikshme, që mund të nxisë inflacion dhe falimente. Bizneset dhe ekspertët sugjerojnë financimin e “mendjes”, si çelësi që rrit pagat për punonjësit e thjeshtë. Fasoni dhe bujqësia janë shumë të rrezikuar

Rritja e pagës minimale me 33% brenda një viti pa studime, me vendime qeverie dhe jo e bazuar në produktivitet rrezikon t’i bëjë jo konkurrues dhe t’i çojë në faliment shumë biznese në sektorin e prodhimit (bujqësi dhe fason) që e mbështesin aktivitetin e tyre në krahun e lirë të punës.

Të gjendur mes presioneve nga rritja e pagës minimale, mungesës së fuqisë punëtore dhe rënia e kërkesës nga jashtë prej stanjacionit ekonomik, bizneset në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, industritë e agropërpunimit dhe ato në sektorin bujqësor nuk do të kenë mundësi të qëndrojnë gjatë në treg.

Të dhënat e përpunuara nga INSTAT tregojnë se, nga viti 2018 deri më 2021, produktiviteti për punonjës në sektorin e prodhimit është rritur me 19%. Për të njëjtën periudhë, pagat në sektorin e prodhimit janë rritur me rreth 13%.

Të dhënat tregojnë se, hapësirat për rritjen e pagave janë të ulëta, ndërsa në vitin 2022, rritja e pagave vijoi më tej.

Paga mesatare mujore bruto shënoi 66,014 lekë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, me rritje vjetore 10%, më e larta e dekadës. Në këtë fillimviti, presionet për rritje të mëtejshme janë bërë më agresive, pasi qeveria ka vendosur që nga 1 prilli, paga minimale të jetë 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht, ose 18% më shumë.

Nëse rritja e pagave bëhet thjesht me vendime, kjo do të ishte shumë e thjeshtë për të rritur mirëqenien, por nëse ekonomia nuk prodhon mallra që të sigurojnë të ardhura për paga më të larta, do të kemi ose faliment, ose inflacion.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, shprehet se duhet të ruhet një raport ndërmjet pagës minimale dhe asaj mesatare. Raporti ideal është 40%, nëse ky raport tejkalohet, atëherë deformohet struktura e pagave në ekonomi dhe rritja bëhet e paefektshme. Në fund të vitit të kaluar, paga minimale ishte sa 51% e pagës mesatare, por ky raport pritet të arrijë 60% në prill.

Alban Zusi, nga Unioni i Eksportuesve Shqiptarë, me aktivitet në industrisë agroushqimore pohon se, ka presion për rritjen e pagave përtej mundësive dhe produktivitetit.

“Nëse duam të rrisin pagat, duhet të stimulojmë mendjen. Menaxherët dhe specialistët me aftësi duhet të nxiten financiarisht, pasi falë tyre, ne mund të gjenerojmë të ardhura për pjesën tjetër të punonjësve”, tha z. Zusi. Rritja e pagave për punonjësit e krahut do të jetë e padobishme nëse nuk ofrojmë stimuj për menaxherët që të gjejnë tregje të reja dhe të krijojnë kushtet për rritjen e vlerës së produkteve.

Eva Laro, e cila drejton “ProDyn”, një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucëve në vend, thotë se, sektori fason do të dëmtohet nga rritja e pagës minimale me 18% njëherazi. “Ne i kishim negociuar çmimet në këtë sezon për produktet dhe nuk mund të aplikojmë rritje tjetër të çmimeve të produkteve.

“Në harkun kohor të një viti, paga minimale u rrit tre herë. Ndodhi shumë shpejt dhe e kemi të pamundur që të kërkojmë rritje çmimi në çdo stinë te furnitorët”, – tha znj. Laro. Rritja e pagës minimale po e bën Shqipërinë jokonkurruese në sektorin fason.

Në sektorin e bujqësisë, zhvillimet demografike rezultojnë të jenë më problematike. Pagat në këtë sektor kanë shënuar rritjen më të lartë duke shkuar në rreth 43 mijë lekë bruto në tremujorin e fundit 2022, nga rreth 34 mijë lekë në të njëjtën periudhë të 2021.

Ruzhdi Koni, i cili zotëron disa biznese në bujqësi dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve vendase, thotë se sektori i bujqësisë po vuan më shumë se çdo sektor tjetër mungesën e punonjësve, pasi po konkurrohet nga sektorët e brendshëm, ndërtimi dhe turizmi që ofrojnë paga më të larta./Marrë nga Monitor