zoom

Aktualitet

SPAK zbarkon edhe në banesat e 3 drejtorëve afër Veliajt, njëra prej tyre e Investimeve në Bashki

Pasi ka zbarkuar në Bashkinë e Tiranës ku ka kthyer përmbys zyrat e disa drejtorive të rëndësishme për prova dhe dokumente në lidhje me dosjen e inceneratorit dhe të tjera, oficerët e BKH-së, me urdhër të SPAK, kanë mësyrë edhe në banesat e disa drejtorëve me peshë, që njihen edhe si krahu i djathtë i kryebashkiakut Veliaj.

Burime të besueshme thanë për “Zoom.al” se janë kontrolluar 3 banesa drejtorësh të kësaj bashkie. Ndërkohë që sot janë kontrolluar zyrat e tyre.

Mes banesave të kontrolluara është edhe ajo e Ilda Qazimllari.

Zyrtarja shërben si drejtoreshë e Investimeve Publike në Bashkinë e Tiranës.

Qazimllari kishte kaluar drejtoreshë e komanduar pas arrestimit të Taulant Tushes, për aferën e inceneratorëve.

Në orët e para të ditës së sotme, një grup oficerësh të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas një urdhri të SPAK, kanë mësyrë mëngjesin e sotëm në Bashki. Ky kontroll ka miratim edhe nga Gjykata për Krimin e Korrupsionin.

Oficerët kanë shkuar te zyrat e Bashkisë së Tiranës, pikërisht te Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse, e cila ka pasur në krye të saj, Taulant Tushen.

Ky i fundit njihet si një nga mbështetësit kryesorë dhe krahu i djathtë i Erion Veliajt dhe ai ndodhet pas prangave për çështjen e hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Burime thanë për “ZOOM.AL”, se kontrolli i bërë nga oficerët e BKH-së përfshin të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, të Shërbimeve Mbështetëse, ku është kërkuar dokumentacion dhe mbledhje e plotë e të dhënave në lidhje edhe me një kallëzim tjetër, atë të dosjes “5D”, kryer pak muaj më parë në SPAK nga ish-deputeti Belind Këlliçi.

Oficerët e BKH-së kanë marrë dokumente që konsiderohen shumë të rëndësishme për hetimin në lidhje me çështjen e tenderëve apo problematikat për të cilat akuzohen disa zyrtarë të Bashkisë Tiranë, përfshirë këtu edhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ndërkohë që SPAK ka zbarkuar gjithashtu edhe në zyrat e AKU-t dhe të Ujësjellës-Kanalizimeve, pasi edhe aty ka ankesa për shpërdorime fondesh publike dhe tenderime, si dhe abuzimet me faturat dhe gjobat.

Disa javë më parë, operacioni i SPAK përfshiu të paktën 15 zyrtarë të Bashkisë në hetime që mbeten ende aktive. /ZOOM.AL/